Greqia po përballet me pesë vatra të mëdha zjarri, ndërsa vala e të nxehtit ka çuar temperaturat në nivele ekstreme.

Sipas autoriteteve, pritet që të dielën temperaturat të arrijnë deri në 44°C, ndërsa rreziku për shpërthime të reja zjarresh mbetet “jashtëzakonisht i lartë”.

Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës, Vasilios Vathrakoyannis, deklaroi se situata është përmirësuar pas një “beteje gjithë natën”, por kushtet mbeten të rrezikshme për shkak të erërave të forta dhe thatësisë ekstreme.

Vatrat kryesore në Greqi

Në Kythira, zjarri shpërtheu të shtunën në mëngjes në fshatin Pitsinades dhe u përhap me shpejtësi, duke përfshirë rreth 20% të ishullit. Janë dhënë urdhra për evakuime urgjente, ndërsa 67 zjarrfikës janë angazhuar në terren.

Në Evia, një tjetër zjarr doli jashtë kontrollit pranë fshatit Pissona. Gjashtë zjarrfikës u shtruan në spital me djegie dhe thithje tymi, dhe disa fshatra mbetën pa energji elektrike.

Në Messinia, një vatër tjetër në zonën Polithea dëmtoi shtëpi dhe toka bujqësore, ndërsa 100 zjarrfikës po luftojnë me frontin aktiv.

Në Atikë, përfshirë periferitë e Athinës, zjarri i nisur në Afidnes përfshiu disa zona përreth si Drosopigi, Kryoneri dhe Agios Stefanos, duke detyruar evakuime dhe duke përhapur tymin deri në qendër të kryeqytetit.

Në Kretë, zjarrfikësit po përballen me një front të gjatë 20 km, që ka shkatërruar pyje, bletari, toka të mbjella dhe bagëti, ndërkohë që fshatra të tërë janë pa rrymë.

Greqia ka kërkuar ndihmë zyrtare nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për gjashtë avionë zjarrfikës.

Zjarre dhe temperaturë rekord edhe në Turqi

Ndërkohë, Turqia ka regjistruar temperaturën më të lartë ndonjëherë: 50.5°C në qytetin Silopi, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 49.5°C.

Në Karabuk, zjarrfikësit po luftojnë me një vatër prej katër ditësh.

Në Eskisehir, dhjetë persona humbën jetën gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin.

Në bregdetin perëndimor, autoritetet kanë vendosur kufizime të ashpra për përdorimin e ujit, përfshirë edhe në vendpushimin e njohur të Çesmesë.

Më herët gjatë muajit, zjarret në ishullin Kios shkatërruan 4,700 hektarë, ndërsa në Kretë, mbi 5,000 turistë u evakuuan për shkak të flakëve./BBC