Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka paralajmëruar për protestë të enjten e 14 dhjetorit, për të kërkuar ndër të tjera kushte më të mira të punës dhe pagë për rrezikshmëri.

Në një deklaratë drejtuar mediave, zjarrfikësit thanë se protesta do të organizohet para ndërtesës së Qeverisë në orën 11:00.

Sipas njoftimit të tyre, ata presin një përgjigje nga Qeveria për kushtet e tyre të punës.

“Kryesia e Sindikatës se zjarrfikësve te Kosovës ka vendosur që në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe gjendjen në përgjithësi në shërbimin e zjarrfikjes dhe shpëtimit, mosplotësimi i kërkesave të parashtruara me kohë, kërkesa të drejta dhe legjitime, të bazuara në ligje dhe së fundi edhe vendimi që zjarrfikësve t’iu anulohet pagesa për rrezikshmëri në punë, vendim i paanalizuar mirë dhe shumë probleme tjera rreth organizimit, statusi juridik ende i pazgjidhur, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese mes Komunave dhe MPB/AME, mosplanifikimi buxhetor për zjarrfikës, kushtet e dobëta të punës, numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve, mosha mesatare në prag të viteve 50, kjo gjendje ka shkaktuar indinjatë dhe njëherit, si pasojë e problemeve të pazgjidhura me dekada, kemi vendosur që me dt. 14.12.2023 të riaktivizojmë protestë”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Zjarrfikësve

Gjithashtu, zjarrfikësit kanë potencuar se neglizhenca e institucioneve ka shkaktuar irritim, dhe sipas tyre, mosplotësimi i kërkesave “s’është për shkak se s’ka mjete buxhetore”.