Zjarri bën shkrumb depot në Lipjan – Policia e cilëson “zjarrvënie”
Tymi iu pa me kilometra larg e në përmasa gjigante. Por edhe këtë të mërkurë, tymi po i del ende ndonëse flakët arritën të shuhen një ditë më parë. Në zonën industriale të Lipjanit, saktësisht në rrugën “Ibrahim Rugova”, një ditë më parë mori flakë depo e kompanisë “Kipper”. E deri në arritjen e zjarrfikësve, […]
Tymi iu pa me kilometra larg e në përmasa gjigante.
Por edhe këtë të mërkurë, tymi po i del ende ndonëse flakët arritën të shuhen një ditë më parë.
Në zonën industriale të Lipjanit, saktësisht në rrugën “Ibrahim Rugova”, një ditë më parë mori flakë depo e kompanisë “Kipper”.
E deri në arritjen e zjarrfikësve, zjarri kaploi edhe depon e “Gorenjes”, ngjitur me të.
Nga ajo çka ka mbetur e që janë mure të shembura e pjesë të bëra shkrumb, duket se depot nuk ishin të vogla e për rrjedhojë, lokalizimi i zjarrit zgjati.
“E kanë parë që zjarri e ka kaplue dhe u përhap me të madhe për shkak edhe të temperaturave brenda dhe ekipa kujdestare ka shku aty më ka njoftu. Kam kërku ndihmë nga të gjitha komunat përreth dhe më kanë ardh në ndihmë. Për pesë orë diku e kemi lokalizu, kemi arrit ta ndalojmë përhapjen”, ka thënë Sadri Shabani, Komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Lipjan.
Gjatë sanimit, pjesëtarët e njësisë së së zjarrfikësve të Lipjanit nuk shpëtuan pa lëndime.
“Gjatë sanimit të zjarrit e kemi pasur një koleg të lënduar po pas trajtimit në QKUK, është liruar për në shtëpi. Këtu kemi të bëjmë me dy depo. Te ajo e Keperit nisi zjarri dhe më pas ka pësuar edhe ajo e Gorenjes. Shkaqet nuk i dimë, po merren organet”, ka thënë Sadri Shabani, Komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Lipjan.
Ndonëse nga Njësia e Zjarrfikësve nuk deklarohen për dyshimet se çka e shkaktoi zjarrin, Policia e Kosovës rastin e ka cilësuar si “zjarrvënie” në raportin 24-orësh të saj.
“ZJARRVËNIE / Rr. Ibrahim Rugova, Lipjan 15.07.2025-16:26. Raportohet se janë përfshirë nga zjarri dy depo të dy ankuesve meshkuj kosovarë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse dhe ekipet e zjarrfikësve. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori” – Policia e Kosovës.
Televizioni ka pyetur edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës lidhur me dyshimet dhe nisjen e hetimeve për këtë rast por nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët për media të këtij institucioni.
Javëve të fundit, rastet e zjarreve në ndërtesa e sidomos në kryeqytet, kanë qenë më të shpeshta.
Vetëm javën që lamë pas, nga flakët u përfshi një ndërtesë banimi tek rruga “UÇK”, ndërsa para tre javësh, një në Emshir. Në këtë interval kohor, u dogjën edhe zyra të bizneseve në kryeqytet.















