Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në Tiranë, duke përfshirë një zonë industriale dhe tregtare. Sipas raportimeve, flakët kanë kapluar disa magazina të tregut të rrobave të përdorura, të vendosura përgjatë rrugës “5 Maji”.
Për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme që ndodheshin në magazina, kryesisht tekstile dhe rroba, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke marrë përmasa të konsiderueshme dhe duke e vështirësuar ndërhyrjen e menjëhershme.
Tym i dendur i zi dhe flakë të larta janë parë nga disa zona të qytetit. Deri në këto momente raportohet vetëm për dëme materiale, me disa magazina që dyshohet se janë përfshirë plotësisht nga flakët. Sipas informacioneve paraprake, nuk ka persona të lënduar dhe as rrezik për jetën e banorëve përreth, ndonëse situata ka shkaktuar panik të madh.
Shkaqet e rënies së zjarrit ende nuk dihen. Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet do të nisin pasi të arrihet shuarja e plotë e flakëve. Në vendngjarje ndodhen forca të shumta zjarrfikëse dhe njësi të policisë, të cilat po punojnë për lokalizimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit, raporton RTSH përcjell Dukagjini.