Zjarri në Istog, arat e pyjet shkrumb e hi brenda pak orësh
Pyllin që prej disa dekadash e kishte trashëguar nga familja në fshatin Kovragë të Istogut, Ahmet Salihajt ia mori zjarri. Siç thotë ai, 70% e sipërfaqes i është dëmtuar dhe familja e tij e kishte burim të ngrohjes këtë. “Po kjo nuk ka ndodhë pikërisht këtu po ka ndodhë në do serrnishte 1 km ma […]
Pyllin që prej disa dekadash e kishte trashëguar nga familja në fshatin Kovragë të Istogut, Ahmet Salihajt ia mori zjarri.
Siç thotë ai, 70% e sipërfaqes i është dëmtuar dhe familja e tij e kishte burim të ngrohjes këtë.
“Po kjo nuk ka ndodhë pikërisht këtu po ka ndodhë në do serrnishte 1 km ma larg prej qetu ku jem, e zjarri është ardh këtu, se edhe era ka qenë shumë erë e fortë edhe nuk kanë mujt me ba kurgjo. Kam qenë prezent po nuk kam mujt me bo asgjë u dashke me ik mos me u kall vetë”, ka thënë Salihaj.
Zjarri i një ditë më parë ka lënë shumë dëme, por fatmirësisht nuk ka depërtuar në shtëpi ndonëse ishte afruar.
“Kur kem lëviz nga shtëpitë tona vec e kemi pa që është afru zjarri edhe ka qenë një katastrofë e papërshkrueshme, këto vitet e mija nuk kam pa një gjë të tillë. Ka qenë shumë problem, temperatura të larta prej sa dite edhe në ato momente ka qenë një frymë shumë e fuqishme, ka qenë e pamundur me ndal zjarrin”, ka thënë një qytetar tjtër, Bedri Haxhijaj.
Përhapja e shpejtë e zjarrit gjatë së hënës, i kishte shqetësuar edhe banorët e tjerë të Istogut.
“Njeri duhet me pas kujdes edhe ne si popullat, që mos me ndodhë edhe mos me gjujtë naj far duhani ose cigare, qe me ardh deri te flaka e zjarrit, se zjarrit shkaktojnë dëme të mëdha edhe e rrezikojnë popullatën”, ka thënë Tafë Vuçinaj, qytetar.
Kryetari i Istogut thotë se gjendja është nën kontroll, por tregon se situata dje ishte alarmante, tek ka treguar për shkaktarët.
“Arsyeja e shkaktimit të zjarrit ka qenë rrjeti i vjetruar elektrik, intensiteti i madh i erës që ka bërë përplasje e përqojave të tyre dhe pastaj ka shkaktu shkëndija që ka mjaftu duke pas parasysh thatësinë e madhe që ka mbizotëruar kohën e fundit, edhe temperatura e lartë e edhe era”, ka thënë Ilir Ferati.
E sipas Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, gjatë së martës janë 10 vatra aktive të zjarrit në sipërfaqe të hapura fushore e malore, në komunën e Mitrovicës, Skënderajt, Ferizajt, Gjakovës, Leposaviqit, Podujevës e Klinës.
Temperaturat pritet të ulën sot dhe veçanërisht nesër kur pritet të ketë edhe reshje shiu.















