Mbrojtja Civile shqiptare ka bërë thirrje që të shmanget kalimi me automjete në Qafën e Llogarasë për shkak të zjarrit të rënë në një zonë të lartë në Dhërmi.

Përmes një njoftimi, Mbrojta Civile thekson se për shkak të zjarrit është krijuar tym i dendur në rrugë, çka mund të vështirësojë qarkullimin dhe punën e zjarrfikësve.

“Për shkak të situatës së krijuar nga zjarri i rënë në qafën e Llogarasë, në një sipërfaqe me shkurre e barishte dhe që ka shkaktuar tym, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të shmangin kalimin në këtë rrugë”.

Tutje në reagim thuhet se “Forcat zjarrfikëse dhe të emergjencave janë duke punuar për të vënë në kontroll situatën. U bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të ndjekin udhëzimet e Policisë së Shtetit dhe emergjencave civile për lëvizjen e tyre, në mënyrë që të lejohen mjetet dhe efektivët të punojnë për shuarjen e zjarrit”, apelon Mbrojtja Civile.

Gjithashtu, lidhur me këtë situatë të krijuar ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Ai ka thënë se “Helikopteri #Cougar dhe efektivë të Forcave të Armatosura kanë shkuar në ndihmë të forcave që po përpiqen të shuajnë zjarrin e rënë këtë pasdite në #Dhërmi”.

Peleshi tutje ka thënë se për shkak të terrenit të vështirë, “situata ka qenë disi problematike për ndërhyrjen me mjete, por trupat janë duke punuar për të vënë në kontroll të plotë flakët”.

“U bëjmë thirrje të gjitha strukturave vendore të ndërhyjnë menjëherë kur vënë re vatra zjarri për të mos lejuar që ato të përhapen në terren më të gjerë. Forcat e Armatosura, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes janë në gatishmëri të plotë në çdo rast, kur kërkohet ndihma e tyre”, ka shkruar Peleshi në Facebook.