Zjarri në një ndërtesë tregtare në Indi, vret të paktën 27 persona
Një zjarr masiv shpërtheu të premten në mbrëmje në një ndërtesë komerciale katërkatëshe në kryeqytetin indian, duke lënë të vrarë të paktën 27 persona e disa të tjerë të plagosur, thuhet në njoftimin e dhomës së kontrollit të zjarrit. Ndërtesa ndodhet në zonën Mundka në perëndim Nju Delhi. Dhoma e kontrollit ka thënë se dhjetra […]
Një zjarr masiv shpërtheu të premten në mbrëmje në një ndërtesë komerciale katërkatëshe në kryeqytetin indian, duke lënë të vrarë të paktën 27 persona e disa të tjerë të plagosur, thuhet në njoftimin e dhomës së kontrollit të zjarrit.
Ndërtesa ndodhet në zonën Mundka në perëndim Nju Delhi.
Dhoma e kontrollit ka thënë se dhjetra njerëz janë shpëtuar nga ndërtesa, e cila përmban kryesisht dyqane.
Agjencia e lajmeve Press Trust of India ka thënë se, 12 persona pësuan djegie nga zjarri dhe 50 u evakuuan nga ndërtesa.
Njëzet e shtatë makina zjarrfikëse i kanë shuar zjarrin, pas betejës për më shumë se pesë orë. Një operacion kërkimi ka vazhduar për të kërkuar këdo që mund të ishte i bllokuar nën rrënoja.
Shkaku i zjarrit nuk ishte i qartë.

“Të shqetësuar nga aksidenti tragjik i zjarrit në një ndërtesë pranë stacionit të metrosë Mundka në Delhi. Ngushëllimet e mia për familjet e viktimave. Uroj shërim të shpejtë të të plagosurve”, ka shkruar në Twitter presidenti i Indisë Ram Nath Kovind.
Kryeministri Narendra Modi ka thënë se është jashtëzakonisht i pikëlluar nga humbja e jetëve.
Zjarret janë të zakonshme në Indi, ku ligjet e ndërtimit dhe normat e sigurisë shpesh shpërfillen nga ndërtuesit dhe banorët.
Atul Garg, drejtor i Shërbimeve të Zjarrfikësve në Delhi, ka thënë se ndërtesa nuk kishte leje nga departamenti i zjarrfikësve dhe nuk ishte e pajisur me pajisje të sigurisë nga zjarri.
Viktimat kanë mbetur të vrarë në katin e dytë të ndërtesës, në të cilin është ruajtur materiali plastik i ndezshëm që përdoret për prodhimin e pajisjeve, si kamerat e sigurisë.

Gazeta Indian Express ka thënë se, dy pronarë të një kompanie që shisnin kamera sigurie janë arrestuan për t’u marrë në pyetje, pasi zjarri raportohet se ka nisur nga zyra e tyre. Nuk ka pasur konfirmim të menjëhershëm nga policia.
Në vitin 2019, një zjarr i shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik, kishte përfshirë një ndërtesë në Nju Delhi, ku kishin mbetur të vrarë 43 njerëz.
















