I akuzuari për krime lufte, Zoran Vukotiq, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 15 vjet burgim për vrasjen e një fëmije 13-vjeçar gjatë luftës në Vushtrri.
Ai u lirua nga akuzat e tjera pasi kishte 4 aktakuza të bashkuara në një proces.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) e ngritur më 23 qershor 2023 ngarkon Zoran Vukotiqin se në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, më 18 prill 1999, rreth orës 15:00, në rrugën “Rruga e Sitnicës” tani “Enver Musa”, në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë, i pandehuri në bashkëkryerje me NN personat, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë serbe dhe të armatosur, kanë vepruar në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë konfliktit në Kosovë.
Sipas aktakuzës, Vukotiq, në bashkëkryerje ka vrarë të miturin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13 vjeçare, B.M., me armë automatike në atë mënyrë që tani viktima, së bashku me djalin e axhës së tij Faton Mulin, kishin marrë biçikletën e fqinjit Skender Bajraktari dhe kishin dalë në lagjen afër varrezave të Vushtrrisë. Më pas, ata kishin dëgjuar disa krisma të armëve, me ç’rast ndërrojnë rrugën dhe nisen në drejtim të rrugës “Enver Musa”, ku pikërisht në rrugën kryesore hasin në tre policë të armatosur.
Tutje, gjithmonë sipas aktakuzës, kur dy fëmijët i shohin policët, fillojnë të ikin, ku njëri nga policët e unifomuar, tani i pandehuri Zoran Vukotiq, nga largësia prej 30 metrash, gjuan me armë zjarri në drejtim të fëmijëve, duke qëlluar në gjoks B.M, i cili vdes menjëherë, ndërsa Faton Muli, arrin t’iu shpëtojë të shtënave me armë, duke u fshehur afër murit, i cili gjendej aty afër.
Ndryshe, në një rast tjetër, Vukotiq akuzohej se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e Komunës së Vushtrrisë, ka marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psiqike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore.
Sipas prokurorisë, Vukotiq ka kryer dhunim seksual si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
Për këtë rast, fillimisht Vukotiq më 11 nëntor 2022 ishte dënuar me 10 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, mirëpo Apeli më 15 shkurt 2023 këtë dënim e kishte rritur prej 10 në 13 vite burgim me arsyetimin se dënimi prej 13 vite burgim është në proporcion me peshën e veprës penale të kryer nga Vukotiq. Kurse, Gjykata Supreme e kishte vërtetuar këtë dënim.