Zotime për restaurimin e Muzeut të bërë shkrumb e hi në Gjakovë
Shkrumb e hi është krejt çka mund të shohësh në Muzeun e Muzikës në Gjakovë, që një natë më parë u përfshi nga flakët dhe u dogj thuajse i tëri. Këta shirita dëshmojnë se në vendin e ngjarjes kanë dalë policia e zjarrfikësit, por që asgjë nuk u arrit të shpëtohej. Për dëmet që pësoi […]
Shkrumb e hi është krejt çka mund të shohësh në Muzeun e Muzikës në Gjakovë, që një natë më parë u përfshi nga flakët dhe u dogj thuajse i tëri.
Këta shirita dëshmojnë se në vendin e ngjarjes kanë dalë policia e zjarrfikësit, por që asgjë nuk u arrit të shpëtohej.
Për dëmet që pësoi muzeu i vetëm i tillë në rajon, reagime erdhën plot, por ky rast sikur më shumë i dhëmbi themeluesit të tij, profesorit Behar Arllatit.
Teksa tregon për vështirësinë që pati në mbledhjen e instrumenteve dhe gjithçka që ai muze përmbante, Arllati thotë se djegia ishte kulmi, pasi muzeu ishte lënë në mëshirë të fatit që moti.
Mircmbajtjen e muzeut thotë se e ka kërkuar edhe asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Tafarshiku, por sipas tij qeverisja e Ardian Gjinit, nuk i kishte kushtuar rëndësi.
Por kur tash i gjithë dëmi është bërë, Ministria e Kulturës e edhe Komuna e Gjakovës njëherësh kanë shprehur keqardhjen dhe gatishmërinë për restaurimin e tij.
Në Komunën e Gjakovës thonë se ky monument do të jetë përgjegjësi e buxhetit të komunës vitin e ardhshëm.
“Përveç keqardhjes, në këtë moment është i rëndësishëm fakti se në objektin e djegur nuk ka qenë asnjë artefakt i muzeut të muzikës. Pra, të gjitha elementet që kanë vlera historike e artistike kanë shpëtuar.Ajo çfarë mund të themi tjetër është informata e sigurtë se objekti i Tabhanës do të ri-ndërtohet vitin tjetër nga buxheti komunal”.
Qytetarët, që nuk kanë dashur të prononcohen para kamerës, kanë bërë me dije se kohë të gjatë muzeu ka qenë jo funksional dhe është thyer e demoluar vazhdimisht nga përdorues të narkotikëve.















