ZPS-ja kërkon vazhdimin e masës së paraburgimit për Pjetër Shalën

Pjetër Shala

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), përmes një parashtrese, ka kërkuar nga trupi gjykues që Pjetër Shalës t’i vazhdohet masa e paraburgimit, duke e konsideruar këtë masë si të nevojshme dhe proporcionale.

Sipas ZPS-së, asnjë fakt apo rrethanë e re nuk ka ndërhyrë që të mund ta ndryshojë këtë konstatim, qëkur trupi gjykues e ka vendosur atë në vendimin e dhjetë të paraburgimit, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Tutje, në këtë parashtresë thuhet se vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe rreziqet që i akuzuari, nëse lirohet, do të arratiset, do të pengojë procedurën ose do të kryejë krime të mëtejshme, duke përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë ofruar dëshmi për ZPS-në dhe/ose janë paraqitur/do të dalin së shpejti para DhSK-së, mbeten të larta.

‘‘Fakti që i akuzuari ka ofruar prova inkriminuese në deklaratat e tij, duke konfirmuar dëshminë viva-voce të dëshmitarëve të ZPS-së dhe se këto deklarata tani janë në dispozicion të trupit gjykues për qëllimet e gjykimit të tij janë në vetvete një nxitje e mjaftueshme për të akuzuarin, nëse lirohet, të përpiqet të arratiset’’, thuhet në parashtresën e prokurorisë.

ZPS-ja thotë se Shala akuzohet për katër akuza për krime lufte dhe, nëse dënohet, mund të përballet me një dënim të gjatë e që edhe prezantimi i vazhdueshëm i provave të ZPS-së dhe njohja e plotë e të akuzuarit për çështjen kundër tij rrit rrezikun e pengimit dhe kryerjes së krimeve dhe së bashku me faktin se trupi gjykues tani mund të përdorë deklaratat e mëparshme të të akuzuarit për qëllime të gjykimit të tij, sipas ZPS-së, kjo rivendos ekzistencën e rrezikut të arratisjes.

Parashtresën e tillë për vazhdimin e masës së paraburgimit për Pjetër Shalën, mund ta gjeni në gjuhën angleze: KËTU.

Ndryshe, gjykimi në rastin e Pjetër Shalës pritet të vazhdojë më 30 maj 2023.

Kurse, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betimin e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar me dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj.

Ndërkaq, deri më tani, në këtë rast janë anuluar seanca e 31 marsit, 5 majit dhe 19 majit.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim, lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte, si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika