ZPS-ja konfirmon dërgimin e Haxhi Shalës në Hagë
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se ish-deputeti i Kosovës, Haxhi Shala, është arrestuar në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë. “Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë […]
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se ish-deputeti i Kosovës, Haxhi Shala, është arrestuar në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.
Në njoftim thuhet se paraqitja e parë e Shalës do të mbahet më 13 dhjetor (nesër).
“Paraqitja e parë e Haxhi Shalës është caktuar të mbahet më 13 dhjetor 2023 në orën 14:00 në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë. Paraqitja e parë do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë Gjykatësi i Procedurës Paraprake garanton respektimin e të drejtave të të akuzuarve, përfshirë të drejtën për përfaqësim juridik, dhe se të akuzuarit i kuptojnë akuzat e paraqitura kundër tyre”, thuhet më tej në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se Shala ditën e arrestimit ka marrë një kopje të aktakuzës, ku akuzohet për frikësim dhe tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
“Sipas Aktakuzës së Konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, z. Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të z. Januzi dhe z. Bahtijari me dëshmitarin 1. Në të thuhet gjithashtu se, me udhëzim të z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.
Sipas Aktakuzës, kjo sjellje tregon se z. Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare. Në Aktakuzën e Konfirmuar Haxhi Shala akuzohet për: (i) frikësim; dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi”, thuhet në njoftim.
Haxhi Shala arrested on charges of witness intimidation and transferred to the KSC Detention Facilities in The Hague – Initial Appearance scheduled for 13 December 2023 #KosovoSpecialistChambers https://t.co/TdMTEH16Ul
— Kosovo Specialist Chambers (@SpecialChambers) December 12, 2023















