ZRRE miraton të hyrat e KOSTT, KEDS e KESCO – Rryma shtrenjtohet për 16.1%
Të hyrat e lejuara maksimale që Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ua aprovoi KOSTT-it, KEDS-it dhe KESCO-s do të përkthehen në rritje të tarifave të energjisë elektrike për 16.1% për të gjitha kategoritë, për vitin tarifor 2025-26. Por, kjo përqindje e rritjes nuk u dha në mbledhjen e Bordit të premten. Pasi treguan […]
Të hyrat e lejuara maksimale që Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ua aprovoi KOSTT-it, KEDS-it dhe KESCO-s do të përkthehen në rritje të tarifave të energjisë elektrike për 16.1% për të gjitha kategoritë, për vitin tarifor 2025-26.
Por, kjo përqindje e rritjes nuk u dha në mbledhjen e Bordit të premten.
Pasi treguan se sa e nga kush pranuan komente, anëtarë të ZRrE-së vijuan me prezantimin e versioneve finale të raporteve për të hyrat.
“I propozojmë bordit të ZRRE-së që të shqyrtojë për miratim të hyrat e lejuara maksimale për shërbimin universal në vlerë 435 milionë e 926 mijë e 299 euro”, ka thënë Muharrem Gashi, udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRRE.
Ky propozim mori mbështetjen e bordit.
Duke sqaruar vendimmarrjen, kryesuesi i Bordit, Ymer Fejzullahu, krahasoi propozimin nga KESCO me vlerën e miratuar.
Ymer Fejzullahu, Kryesues i Bordit të ZRRE-së
“Kërkesa ka qenë diku rreth 447 milionë euro, mirëpo kemi ardhë në vlerën 435 milionë euro, pas diskutimeve që i kemi pasë me të gjitha palët e interesit”, ka thënë Fejzullahu.
Por, vlera e miratuar për këtë vit është për 36 milionë euro më e lartë sesa vlera e miratuar për të hyrat maksimale të lejuara vitin e kaluar – e që ishte 399 milionë euro.
Bordi nuk sqaroi as ndikimin e largimit nga Shërbimi Universal të bizneseve me më shumë se 50 punëtorë ose 10 milionë euro qarkullim vjetor, nga 1 qershori.
Për më tepër, gjithçka u mbyll pa u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.
“Veç një pyetje: Sa është përqindja? Veç një pyetje jemi duke e bë?”
Përkundër këmbënguljes së gazetarëve, Bordi i ZRrE-së heshti përballë pyetjeve.
“Takimi është i hapur me e xhiru”, tha një zyrtar i ZRRE-së.
“Jemi mbledhë gjithë këto media e s’kemi të drejtë me bo pyetje?”, thanë gazetarët.
“Në komunikatë keni me marrë përgjigjen”, tha tutje zyrtari.
Kreu i bordit heshtjen e theu vetëm kur kërkoi largimin e gazetarëve nga salla.
“A muni veç me na e liru sallën mos me na detyru me liru sallën? E kisha lutë stafin e ZRrE-së me na kriju kushtet me vazhdua me mbledhjen”, ka thënë Zejnullahu.
Meqë, në rend dite ishte shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve – të cilat trajtohen në seancë të mbyllur – gazetarët liruan sallën.
Rritjen prej 16.1% që anëtaret e Bordit refuzuan ta kumtojnë para kamerave, Rregullatori e njoftoi me shkrim dy orë pas.
Ngritja e tarifave pritet të formalizohet nëpërmjet një vendimi të veçantë, ditët në vijim.















