Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) thekson se procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike në Kosovë është duke u zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme.

Sipas njoftimit, ky proces po konfirmohet çdo ditë nga gjykatat kompetente, të cilat mbështesin veprimet e ZRRE-së dhe vërtetojnë ligjshmërinë e të gjitha hapave të ndërmarra.

ZRRE njofton se furnizimi i përkohshëm përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) përfundon sot, më 30 korrik 2025. Pas kësaj date, periudha tranzitore e garantuar prej 60 ditësh nuk mund të zgjatet më me vendime administrative, pasi është e përcaktuar me ligj.

Të gjithë konsumatorët komercialë që kanë përmbushur kriteret për kalim në tregun e hapur dhe ende nuk kanë lidhur kontratë me një furnizues të licencuar, u bëhet thirrje të veprojnë menjëherë dhe të zgjedhin një furnizues nga lista zyrtare e publikuar nga ZRRE.

Në të kundërtën, nga data 31 korrik 2025, furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht, dhe kjo mund të sjellë ndërprerje në furnizim.