Në qytezën që jetojnë rreth 20 mijë banorë është pothuajse e pamundur të shohësh objekte ose shtëpi në ndërtim.

Jo se nuk ka kërkesë për banim ose interesim për të ndërtuar, por për shkak se Komuna nuk po lejon ndërtime të reja.

“Në vitin 2023 ne nuk e kemi dhënë asnjë leje ndërtimore, për shkak se në vendim kur e kemi marrë pëlqimin për planin zhvillimor thotë se me këtë plan nuk lejohet me u dhanë kushtet ndërtimore deri në përmbylljen e hartëz zonale”, ka thënë Arben Berisha nga Drejtoria për Planifikim në Obiliq.

Drejtori për Planifikim Urban Kadastër dhe Pronë thotë se e kanë shfuqizuar planin e hartës së vjetër për t’i hapur rrugë planit të ri, mirëpo tash kanë mbetur në qorrsokak.

“Me e pas një afërsi, e jo ti e thirr në telefon edhe të thotë mos më thirr në telefon se po më pengon. Ose i shkruan e-mail edhe thotë unë kam afat 60 ditë. Çka nënkupton kjo 60 ditë. A duhet ne me prit 60 ditë për një aprovim? Ose për një e-mail që e ka kthyer që thotë se duhet me e rregullu këtë këtë”, ka thënë Berisha.

Berisha që është edhe kryesues i kolegjiumit të drejtorëve komunal të Urbanizmit në kuadër të Asociacionit të Komunave, tregon se shumica e komunave nuk e kanë hartuar planin zhvillimor dhe hartën zonale, të nevojshme për ndërtim.

Për ankesat e adresuara nga Berisha, RTV Dukagjini ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe e Infrastrukturës, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje të martën.

Pasojat e zvarritjes së hartimit të këtyre planeve po bartin edhe ndërtuesit.

“Pothuajse të gjitha komunat nuk kanë më shumë se 30% të planeve zhvillimore në të gjitha komunat e Kosovës. Pastaj kjo pjesë e zvarritjes ka mbetur nga Ministria e Infrastrukturës bashkë me komunat për një hartim në tërësi ose një masterplan një hartim i përgjithshëm”, ka thënë Jahir Morina nga Shoqata e ndërtuesve të Kosovës.

 Dokumenti i hartave zonale përcakton koeficientin e ndërtimeve të larta, ndërtimet e objekteve shkollore dhe shëndetësore, infrastrukturën rrugore, hapësirën gjelbëruese dhe çdo ndërtim tjetër që lidhet me zhvillimin e qytetit.