Zvicra planifikon paketë të re ndihme prej 150 milionë dollarësh për Ukrainën dhe Moldavinë
Zvicra ka njoftuar planet për një paketë të re ndihme humanitare prej 150 milionë dollarësh për Ukrainën dhe Moldavinë, sipas një deklarate të Qeverisë të botuar të mërkurën. Parlamenti zviceran pritet të miratojë paketën për të siguruar rreth 123 milionë dollarë për Ukrainën dhe 28 milionë dollarë për Moldavinë fqinje. Që nga fillimi i luftës, […]
Zvicra ka njoftuar planet për një paketë të re ndihme humanitare prej 150 milionë dollarësh për Ukrainën dhe Moldavinë, sipas një deklarate të Qeverisë të botuar të mërkurën.
Parlamenti zviceran pritet të miratojë paketën për të siguruar rreth 123 milionë dollarë për Ukrainën dhe 28 milionë dollarë për Moldavinë fqinje.
Që nga fillimi i luftës, Zvicra ka ndarë rreth 1.4 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën. Kjo përfshin mbi 291 milionë dollarë si mbështetje për Ukrainën në bashkëpunim me aleatët, si dhe rreth 1.12 miliardë dollarë për pritjen e njerëzve nga Ukraina që kërkojnë azil, thuhet në deklaratë.
Tashmë, Zvicra ka pranuar më shumë se 75 mijë azilkërkues nga Ukraina pas pushtimit të Rusisë, dhe qytetarët kanë strehuar rreth 25 mijë ukrainas në rezidencat e tyre, sipas Qeverisë.
Të mërkurën, Qeveria zvicerane përsëriti “dënimin e saj të sulmit në termat më të ashpër të mundshëm” dhe bëri thirrje për “ndërprerjen e armiqësive dhe tërheqjen e trupave ruse nga i gjithë territori i Ukrainës”.
Vitin e kaluar, Zvicra theu traditën e saj të neutralitetit në favor të miratimit të sanksioneve kundër Rusisë, të cilat, sipas saj, ishin në përputhje me ato të miratuara nga Bashkimi Evropian.
Dërgesat e armëve janë ende të përjashtuara për shkak të legjislacionit të neutralitetit, përcjell CNN.
Zvicra gjithashtu e ndaloi Gjermaninë të transferonte municione të prodhimit zviceran për sistemet gjermane kundërajrore Gepard që Berlini ia kishte dhënë Ukrainës.















