Qytetarët zviceranë do t’u drejtohen kutive të votimit këtë të diel për të vendosur mbi një propozim kontrovers që synon kufizimin e popullsisë së vendit në 10 milionë banorë deri në vitin 2050. Referendumi ka nxjerrë në pah ndarjet e thella politike dhe shoqërore lidhur me emigracionin dhe të ardhmen demografike të vendit.
Nisma është propozuar nga Partia Popullore Zvicerane, e cila argumenton se rritja e shpejtë e popullsisë po ushtron presion mbi tregun e banesave, infrastrukturën publike dhe mjedisin. Sipas partisë, kufizimi i emigracionit do të ndihmonte në ruajtjen e cilësisë së jetës dhe stabilitetit ekonomik.
Në anën tjetër, qeveria zvicerane, partitë kryesore politike, sindikatat dhe komuniteti i biznesit e kundërshtojnë fuqishëm propozimin. Ata paralajmërojnë se një masë e tillë mund të krijojë mungesa serioze të fuqisë punëtore në sektorë kyç si shëndetësia dhe turizmi, ndërsa do të rrezikonte marrëdhëniet ekonomike dhe politike me Bashkimi Evropian.
Popullsia e Zvicrës është rritur nga 7.3 milionë banorë në vitin 2002 në rreth 9.1 milionë sot, ndërsa më shumë se një e katërta e banorëve kanë lindur jashtë vendit. Sondazhet e fundit tregojnë një garë të ngushtë, me 52 për qind të votuesve që priren ta kundërshtojnë nismën dhe 45 për qind që e mbështesin atë.
Sipas propozimit, qeveria do të detyrohej të ndërmarrë masa sapo popullsia të arrijë në 9.5 milionë banorë. Këto masa mund të përfshijnë kufizimin e azilkërkuesve dhe të drejtës së ribashkimit familjar për punëtorët e huaj. Në rast se kufiri prej 10 milionë banorësh do të arrihej, Zvicra mund të detyrohej të rishikonte ose të anulonte marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë lëvizjen e lirë të qytetarëve me BE-në.
Përfaqësuesit e biznesit paralajmërojnë se ekonomia zvicerane varet ndjeshëm nga fuqia punëtore e huaj. Rreth gjysma e punonjësve në sektorin hotelier dhe një pjesë e konsiderueshme e stafit në spitale dhe qendra kujdesi janë emigrantë. Kundërshtarët e referendumit argumentojnë se, në kushtet kur 20 për qind e popullsisë është mbi moshën 65-vjeçare, vendi ka nevojë për më shumë punëtorë të rinj dhe jo për kufizime të reja ndaj emigracionit.
Rezultati i referendumit pritet të shihet si një test i rëndësishëm për qëndrimin e Zvicrës ndaj emigracionit dhe marrëdhënieve të saj me Evropën në vitet e ardhshme.