Ashtu siç pritej, mesfushori kosovar Leon Avdullahu ka firmosur kontratë të re shumëvjeçare me klubin e Bundesligës gjermane, TSG Hoffenheim.
22-vjeçari, i cili u transferua te Hoffenheimi verën e kaluar nga FC Basel, ka pasur një sezon të shkëlqyer në elitën e futbollit gjerman, duke bindur drejtuesit e klubit për vazhdimësinë e bashkëpunimit.
Me kontratën e re, Avdullahu pritet të përfitojë edhe financiarisht, ndërsa mbetet një nga elementët kyç të skuadrës. Pak ditë më parë, kontratën me Hoffenheimin e rinovoi edhe bashkëlojtari i tij, Albion Hajdari, që luan në qendër të mbrojtjes.
Avdullahu dhe Hajdari janë pjesë shumë e rëndësishme edhe e Kombëtares së Kosovës, së bashku me sulmuesin Fisnik Asllani. Ky i fundit, megjithatë, mund të largohet nga Hoffenheimi gjatë afatit kalimtar veror.
Pavarësisht interesimit nga klube më të mëdha evropiane, Avdullahu nuk pritet të largohet së shpejti nga Hoffenheimi. Skuadra gjermane ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane për sezonin e ardhshëm dhe synon një vend në UEFA Champions League.
Kujtojmë se kontrata e mëparshme e Avdullahut ishte e vlefshme deri në vitin 2029.
