Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) – Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Prizren, ka konfirmuar arrestimin e një zyrtari të gjendjes civile në Mamushë, në lidhje me dyshimet për “keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar”.

Siç thuhet në njoftimin e policisë, hetimi për këtë rast ka treguar se i dyshuari ka regjistruar në sistemin e gjendjes civile gjashtë persona gjatë vitit 2023 në kundërshtim me ligjin.

Nga ky rast, persona të cilët nuk kanë të drejtë ligjore për të fituar shtetësinë kosovare, janë regjistruar dhe më pas ua ka mundësuar fitimin e shtetësisë.

Sipas policisë, dosja për një person është gjetur, regjistruar më 5 maj 2023, ndërsa për personat e tjerë dosjet e tyre nuk ekzistojnë fare.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe ka përdorur të drejtën e tij ligjore për t’u mbrojtur në heshtje.

Pas konsultës me prokurorin, me aktvendim mbi ndalimin, i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.