Një oficer i lartë i forcave të sigurisë së Hamasit i ka thënë BBC-së se grupi i armatosur palestinez ka humbur rreth 80% të kontrollit mbi Rripin e Gazës dhe se boshllëkun po e mbushin klane të armatosura.

Ky toger kolonel, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se sistemi komandues dhe kontrollues i Hamasit është rrënuar pas muajsh me sulme izraelite që kanë shkatërruar udhëheqjen politike, ushtarake dhe të sigurisë të grupit.

Ai vetë ishte plagosur në javën e parë të luftës, e cila filloi pas sulmit të Hamasit mbi Izraelin më 7 tetor 2023, dhe që atëherë është tërhequr nga detyra për arsye shëndetësore. Ai ndau disa mesazhe me BBC-në, në mënyrë konfidenciale.

Oficeri tha se si pasojë e boshllëkut të sigurisë, tani ka “gangë apo klane të armatosura kudo”.

“Ata mund të të ndalojnë, të të vrasin. Askush nuk ndërhyn. Kushdo që përpiqet të veprojë vetë, si për shembull të organizojë rezistencë kundër hajdutëve, bombardohet nga Izraeli brenda gjysmë ore. Kështu që, situata e sigurisë është zero. Kontrolli i Hamasit është zero. Nuk ka udhëheqje, nuk ka komandë, nuk ka komunikim. Rrogat vonohen, dhe kur vijnë, mezi vlejnë për ndonjë gjë. Disa vdesin vetëm duke u përpjekur t’i marrin ato. Është kolaps i plotë.”

Më 26 qershor, të paktën 18 persona u vranë nga një sulm me dron izraelit që kishte në shënjestër një njësi policore të Hamasit me rroba civile, e cila po përpiqej të rikthente kontrollin në një treg në Deir al-Balah. Sipas dëshmitarëve dhe mjekëve, njësia kishte akuzuar shitësit për rritje çmimesh dhe shitje të ndihmave të grabitura.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur “disa terroristë të armatosur” që ishin pjesë e Forcave të Sigurisë së Brendshme të Hamasit./BBC