Zyrtari i KFOR-it pyetet për uniformat që mbante UÇK-ja, tha se mendon që të zezat i mbante policia ushtarake
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon edhe të mërkurën dëshminë dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Johan Fritsch në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në fillim të seancës, dëshmitari është marrë në pyetje nga prokurorja Vega Iodice, e cila u fokusua […]
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon edhe të mërkurën dëshminë dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Johan Fritsch në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në fillim të seancës, dëshmitari është marrë në pyetje nga prokurorja Vega Iodice, e cila u fokusua në uniformat anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës sa KFOR-i ishte me mision në Prizren nga 13-14 qershorit 1999.
Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një video në të cilën thuhej se dukej një person me uniforma të zeza për të cilat ai tha se relativisht shpesh ka parë veshje të tilla.
“Po realitivisht shpesh në ato ditë janë parë uniforma të tilla”, tha ai.
Fritsch tha se nuk është i sigurt se cilat formacione i përdornin këto uniforma, por që mendon se i përdorte policia ushtarake e UÇK-së.
Mirëpo, dëshmitari tha se kishte përzierje të uniformave dhe nuk ishin të gjithë anëtarët e njëjtë që përdornin uniforma të njëjta.
“Po, kishte përzierje të ndryshme të uniformave të pjesshme. Kishte persona që ishin të veshur me të zeza, disa kishin të veshur me lara-lara, disa ishin të veshur me uniforma të përziera e të tjerë. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre kishin një shenjë dalluese e që ishe shqiponja e zezë”, tha Fritsch, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai gjithashtu tha se gjatë kohës që kanë qenë me mision në Prizren, në ditët e para kanë parë patrullime të UÇK-së në rrugë.
“Po, gjatë ditëve të para, pasi ne u futëm në vend, domethënë pas datës 13 dhe 14 qershor relativisht për një periudhë të shkurtë i kemi parë këto gjëra”, tha Fritsch
Oficeri i KFOR-it tha se patrullimi i UÇK-së në rrugët e Prizrenit ishte për shkak se këta të fundit donin të mbushnin vakumin që ishte krijuar pasi që ushtria jugosllave ishte në largim dhe KFOR-i ishte në ardhje.
“Kur forcat e KFOR-it u futën në Kosovë, pala jugosllave duhej te tërhiqej sipas marrëveshjes nga Kosova brenda pak ditësh. Pra, forcat e KFOR-it po futeshin ne Kosovë dhe për një periudhë të shkurtër kohore ekzistoi një lloj vakumi dhe UÇK-ja donte që ta mbushte këtë vakum…”, tha Fritsch, duke shtuar se në ditët e para kishte prani të madhe të UÇK-së në qytet ndërsa më vonë kishte vetëm pak individë.















