Rusia gjatë natës ka sulmuar me dronë kryeqytetin ukrainas, Kievit dhe qytetin jugor të Mykolaiv, duke lënë të plagosur të paktën 12 persona.

Autoritetet lokale kanë thënë se dy gra janë plagosur në kryeqytet, pasi që dronët rus sulmuan ndërtesat e banimit.

Nga ana tjetër, forcat ajrore ukrainase kanë thënë se kanë rrëzuar 85 nga 145 dronët e nisur nga Rusia gjatë sulmit të saj gjatë natës.

Sipas ushtrisë ukrainase 49 dronët e tjerë nuk arritën objektivat e tyre me gjasë për shkak të kundërmasave të luftës elektronike, raporton Reuters përcjell Dukagjini.

Autoritetet regjistruan 30 dronë në hapësirën ajrore mbi kryeqytetin, 16 prej të cilëve u shkatërruan dhe pjesa tjetër ose u largua nga hapësira ajrore ose u “humb”.

Sulmi gjatë natës plagosi gjithashtu 10 persona në qytetin jugor të Mykolaiv, tha guvernatori rajonal i tij Vitalii Kim. Sulmi rus dëmtoi gjithashtu nëntë ndërtesa banimi, 30 garazhe dhe një ndërtesë administrative, shtoi ai.

Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët, por mijëra janë vrarë dhe plagosur në luftën e saj në Ukrainë.