12 vjet që nga interpretimi i GJND-së për pavarësinë e Kosovës

Edhe pse janë bërë 12 vjet që nga interpretimi juridiko-ndërkombëtar i Gjykatës së Drejtësisë Ndërkombëtare për legalitetin e pavarësisë së Kosovës të shpallur në vitin 2008, sipas njohësve të çështjeve juridike dhe politike, Kosova ende nuk ka bërë ndonjë kampanjë efektive për promovimin e këtij mendimi të institucionit më të lartë gjyqësor të organizatës botërore në fushën e politikës së jashtme

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, 22 korrik 2010.

Të premten e 22 korrikut, bëhen 12 vjet qëkur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë(GJND), ka marrë vendimin pro legalitetit juridiko-ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës, si përgjigje ndaj opinionit këshillues nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 22 korrik 2010, organi kryesor gjyqësor i OKB-së e konfirmoi atë që dihej botërisht, se shpallja e pavarësisë nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, ka shumë vende që edhe pas mendimit të qartë të GJND-së vazhdojnë të mos besojnë në legalitetin juridiko-ndërkombëtar të Pavarësisë së Kosovës.

Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini për këtë mospërfillje të mendimit këshillues nga ana e shumë shteteve ka thënë se është një mospërfillje politike dhe si pasojë e aleancave të vjetra që krijohen midis shteteve.

Avokati Qerkini për portalin Dukagjini, ka thënë se jo vetëm Moska por edhe shumë shtete të tjera si Spanja e Qipro nuk e kanë përfillur mendimin këshillues të GJND-së.

Sipas Qerkinit, Kosova duhet më shumë të promovojë këtë mendim të GJND-së.

Artan Qerkini, avokat i akredituar nga Gjykata Speciale,

Për Qerkinin, Serbia ka shpikur institute siç është “tërheqja e njohjeve” i cili nuk njihet në analet e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa shteti i Kosovës nuk e ka përdorur sa duhet një dokument të një Gjykate Ndërkombëtare i cili legalizon shpalljen e pavarësisë.

Ai ka thënë ndër të tjera se në 12 vjetorin e këtij vendimi duhet të ndërmerren veprime nga institucionet e Kosovës në drejtim të sensibilizimit të akterëve të caktuar ndërkombëtarë për rëndësinë e këtij akti juridik.

Po ashtu, ai ka thënë se për promovimin e këtij vendimi mund të organizohen edhe simpoziume shkencore në të cilat do të mund të debatohej rreth këtij akti të një rendësie të madhe për Republikën e Kosovës.

Ndërsa politologu, Shkodran Ramadani, për portalin Dukagjini ka thënë se vendimi i GJND-së ka qenë në favor të Kosovës, duke e vlerësuar shpalljen e pavarësisë së këtij shteti në harmoni me ligjin ndërkombëtar dhe në harmoni me Rezolutën 1244.

Sipas Ramadanit, opinioni në lidhje me vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës nuk mund të ndryshohet më, pasi ai është ashtu siç është dhe Kosova me aleatët e saj e ka shfrytëzuar në masë të madhe.

Shkodran Ramadani, politolog

“Kjo ka qenë një fitore e madhe për ne dhe për këtë arsye, Kosova i ka siguruar shtetet njohëse se kanë marrë vendimin e duhur për të njohur këtë shtet, e poashtu i bindi edhe shumë shtete të tjera që ta njohin më tutje”, ka thënë Ramadani.

Për Ramadanin, në këtë vendim të GJND-së ka disa aspekte penalizuese sepse sipas tij vendimi flet vetëm për deklaratën e pavarësisë së Kosovës, e jo për ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Sipas tij, për këtë arsye, Serbia është munduar ta shpallë si fitore të saj, duke thënë se GJND-ja i ka njohur Kosovës vetëm deklaratën, por jo edhe shtetësinë.

Ai ka thënë ndër të tjera se Serbia ka lobuar duke e përdorur këtë interpretim si argument per të bindur shtetet që të mos e njohin Kosovën, por që te një pjesë e tyre nuk ka pasur sukses.

“Meqenëse është vetëm opinion, ai nuk është obligativ dhe nuk detyron shtetet e tjera që ta njohin Kosovën si të pavarur”, ka shtuar Ramadani.

Sipas tij, ky opinion ka pasur impakt shumë pozitiv për Kosovën, por edhe të kufizuar.

Siç thotë ai, Moska nuk është që vetëm e ka refuzuar opinionin e GJND-së, por edhe e ka kundërshtuar e shfrytëzuar.

Sipas Ramadanit, Moska në një anë e ka kritikuar këtë opinion, ndërsa në anën tjetër e ka shfrytëzuar për politikën e saj të jashtme duke u përpjekur të aplikojë në disa raste të cilat ajo i ka interpretuar si “raste të njëjta me Kosovën”.

“Kjo ka ndodhur me Osetinë, Abkhazinë, Krimenë e tash së fundmi edhe Donetskin e Luhanskin. Moska pretendon se meqenëse Kosova gëzoi te drejtën e shkëputjes, atëherë edhe këto rajone duhet të kenë të drejtë”, ka theksuar ai.

Për Ramadanin, Kosova duhet të bëjë më shumë përpjekje në politikë të jashtme, e cila siç thotë ai, fatkeqësisht është e shthurur, disfunksionale dhe joefektive.

“Për gati një vit, ambasadat e Kosovës nëpër botë kanë qenë të mbyllura dhe ne nuk kemi pasur një trup diplomatik që çon agjendën tonë shtetërore përpara”, ka shtuar Ramadani.

Sipas tij, ka mungesë të kapaciteteve të Qeverisë në pushtet për të promovuar kampanja të suksesshme diplomatike.

“Nuk ka asnjë njohje të re. Nuk ka asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe asnjë sukses tjetër të dalluar. Përkundrazi, ky dikaster ka qenë vatër e shumë skandaleve të cilat penalizojnë Kosovën”, ka vijuar tutje ai.

Si përfundim, Ramadani shtoi se hapi i parë që duhet bërë nga qeveria e Kosovës është konsolidimi i diplomacisë, pasi siç thotë ai, ky konsolidim është skeptik për arsye të njerëzve që janë në krye të politikës së jashtme të Kosovës.

Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë 

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e dha mendimin e saj këshillimor më 22 korrik 2010, duke deklaruar me 10 vota pro dhe 4 kundër se ”Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk cenon normat e së drejtës ndërkombëtare”.

Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Hisashi Ovada, tha se gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare nuk përmban ndalesë për deklarata të pavarësisë.

“Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë të zbatueshme për deklarata të pavarësisë. Rrjedhimisht, ajo konkludon se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”, ka thënë Ovada.

Ovada theksoi se Rezoluta 1244 po ashtu nuk e ndalon shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Gjykata, rrjedhimisht, ka gjetur se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit nuk i ndalon autorët e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, nga shpallja e deklaratës së pavarësisë nga Republika e Serbisë. Prandaj, Deklarata e Pavarësisë nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit”, ka vijuar Ovada.

Sipas tij, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se Deklarata e Pavarësisë nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika