2023-ta, vit i “dështimit” në diplomacinë kosovare

Derisa partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka konsideruar si të suksesshëm vitin 2023 sa i përket diplomacisë kosovare, partitë opozitare e quajnë si një vit të dështimit dhe të regresit

Foto ilustrim

Shtetësia e Kosovës as këtë vit nuk u njoh nga shtetet mosnjohëse.

Kosova kishte pranuar njohje para tri vjetësh, dhe kjo periudhë kohore pa asnjë njohje po shihet si një dështim i diplomacisë kosovare.

Derisa partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e ka konsideruar si të suksesshëm vitin 2023 sa i përket diplomacisë kosovare, partitë opozitare e quajnë si një vit të dështimit dhe të regresit.

Foto ilustrim, harta e botës me të gjitha shtetet dhe flamujt e tyre, 3d

Deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vlerësojnë se Qeveria aktuale, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka dëmtuar subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kjo, për shkak se pos që nuk u arrit asnjë njohje as përgjatë vitit 2023, Kosova u ndëshkua nga Bashkimi Evropian(BE) duke iu vënë masa.

Deputetja nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, njëkohësisht anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se ekzistenca e këtij vakuumi të njohjeve ndikon në sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e Kosovës.

Ajo thotë se nuk është punuar fare në këtë drejtim, kanë munguar përpjekjet e diplomacisë kosovare për të lobuar te vendet që nuk e kanë njohur ende shtetësinë e Kosovës.

Mungesa e njohjeve të reja, sipas deputetes Krasniqi, mund të ketë ndikime në procesin e ndërtimit të një shteti të qëndrueshëm dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Përveç kësaj, nuk ka pasur as anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përmes të cilave do të mund të faktorizohej vendi në arenën ndërkombëtare. Por, këtë siç duket nuk e merr parasysh kjo qeveri, e cila, përveç skandaleve të njëpasnjëshme, nuk ka shënuar asnjë progres në diplomaci. Njohja e shtetësisë së Kosovës nga më shumë vende do të ishte një hap i rëndësishëm për integrimin e saj në skenën ndërkombëtare dhe për avancimin e qëllimeve të saj të zhvillimit dhe stabilitetit, për çka duhet të ketë më shumë angazhim dhe transparencë në këtë çështje, në mënyrë që edhe populli të kuptojë drejt se çfarë misioni ka diplomacia jonë, përveç pagave të majme që marrin çdo muaj”, u shpreh ajo.

Ajo vlerëson se duhet konsistencë në lobim, për të bindur shtetet që vazhdojnë të refuzojnë të njohin shtetësinë e Kosovës.

“Kjo ka munguar, bashkë me të edhe vullneti i diplomacisë tonë, të cilët, përveç skandaleve të panumërta, nuk kanë lënë asnjë gjurmë tjetër përgjatë këtyre tri viteve sa po bëhen që janë në pushtet”, shtoi më tej ajo.

Sipas saj, për të shfajësuar veten dhe për t’i ikur përgjegjësisë së dështimit, “tani ky pushtet ka filluar të akuzojë BE-në për sanksionet e vendosura ndaj Kosovës”.

“Pas zhvillimeve në veri të Mitrovicës, të cilat kanë ndodhur në mungesë të koordinimit të kësaj qeverie me aleatët tanë, të cilët ndihmuan vendin në kohërat më të vështira dhe vazhduan të qëndrojnë në përkrahje të Kosovës në çdo hap të saj, ndërkohë që kjo qeveri vendosi të mos i përfillë dhe t’i injorojë edhe në çështje të sigurisë duke vendosur në rrezik stabilitetin e vendit. Pra, për fajin e kësaj qeverie, po i vuajmë sot edhe pasojat e masave që ka vendosur BE-ja dhe projektet të cilat i ka bllokuar në vlerë prej 295 milionë eurove”, përfundoi Krasniqi.

Për deputetin nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, problemi qëndron te situata me marrëveshjet me Serbinë, të cilat, sipas tij, duhet të fillojnë të zbatohen.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Haliti thotë se situata politike brenda vendit ka krijuar një ngërç edhe të ndërtimit të raporteve me vendet e tjera.

“Diplomacia kosovare është një diplomaci e re, dhe fuqia e saj apo mundësitë e saj janë për aq sa miqtë tanë strategjikë do të angazhohen bashkë me diplomacinë kosovare. Mendoj që ne mund të flasim për ambasadorët e aftë dhe të paaftë, por kryesorja e të metave në proces është situata politike në Kosovë dhe, duke pasur këtë situatë në vend, normalisht që ata që kanë ndihmuar veçanërisht vendet e QUINT-it, vendet perëndimore dhe pjesërisht disa shtete anëtare të NATO-s, tani për tani mendoj që nuk kanë pasur ndonjë angazhim për të na ndihmuar në procesin e njohjeve të Kosovës. Problem është situata me marrëveshjet që duhet filluar të zbatohen me Serbinë dhe situata politike brendapërbrenda vendit, e cila realisht ka krijuar një ngërç edhe të ndërtimit të raporteve me vendet e tjera, posaçërisht tani kur Kosovës i janë vënë masa sanksionuese, është vështirë të mendohet që një vend i BE-së merr mundin dhe ka besimin që marrja mbi vete e një procesi për njohjen e Kosovës do të jetë mirë. Këto sanksione e kanë penalizuar edhe diplomacinë e Kosovës”, tha ai.

Xhavit Haliti, deputet i PDK-së

Haliti vlerëson se zbatimi i marrëveshjeve do të hapë mundësinë që në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara, Kosova jo vetëm të ketë njohje të reja, por edhe integrim më të shpejtë në organizatat ndërkombëtare duke pretenduar edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Në këtë aspekt, mendoj që i bie përgjegjësia Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që nuk fillojnë zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Problemet e disa shteteve nga pesëshja (Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia, Qipro), kanë disa probleme të ngjashme me komunitetet e tyre që i kanë brenda territoreve, të cilat nuk do të dëshironin që të bëhet vijë, por është një qëndrim i deklaruar publikisht edhe ndërkombëtarisht që nëse Kosova dhe Serbia merren vesh mes vete për çështjet për të cilat po flasim ne, nuk do të jemi pengesë që Kosova të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë edhe njohjen”, shtoi më tej ai.

“Nuk kemi asnjë njohje në praktikë dhe asnjë sinjal që dikush është në prag të njohjes së pavarësisë së Kosovës, nuk di kë ta fajësoj tjetër, përveç politikave që kanë qenë të papërshtatshme për ndërtimin e raporteve”, përfundoi Haliti.

Kritika për Qeverinë aktuale, veçanërisht për Ministrinë e Punëve të Jashtme, pati edhe deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj.

Kadrijaj, e cila aktualisht është edhe anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, thotë se ka zbehje të subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, për shkak të asaj që ajo e quan keqqeverisje.

“Në vend të sjelljeve të njohjeve të reja, në vend të anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, kjo Qeveri Kosovës i ka sjellë masa dhe sanksione. Jemi vendi i vetëm pas fuqisë që kemi sanksione nga Bashkimi Evropian dhe nga SHBA-të, dhe normal kemi zbehje të subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, për shkak të keqqeverisjes nga kjo qeveri, sidomos, nga Ministria e Punëve të Jashtme, pasi kjo qeveri ka dështuar më shumë sesa krejt qeveritë e kaluara, sepse kanë premtuar shumë dhe në bazë të kësaj kanë marrë besimin e qytetarëve, keni parë se i ka shkelë parimet dhe i ka shkelë të gjitha ato qëndrime që i ka pasur LVV-ja para ardhjes në pushtet”, tha Kadrijaj për Portalin Dukagjini.

Time Kadrijaj, deputet e AAK-së

Ajo thotë se ky ekzekutiv e ka kthyer vendin mbrapa për një dekadë, duke mos pasur koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

“Kemi pasur moskoordinim me aleatët tanë ndërkombëtarë, pastaj si pasojë e keqqeverisjes, keqmenaxhimit dhe moskoordinimit me aleatët tanë, shihet se cila është gjendja në pjesën veriore të Mitrovicës; konflikti, sulmet terroriste, protestat, kjo qeveri e ka kthyer vendin mbrapa për një dekadë. Le që nuk kemi njohje që nuk pritet të kemi njohje të reja, që nuk kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por na kanë sjellë edhe sanksione”, shtoi tutje ajo.

Kadrijaj foli edhe për “skandalet e njëpasnjëshme” të MPJ-së, duke thënë se në vend të progresit, ky dikaster ka sjellë regres.

E vetmja e re që ndërlidhet me lobimin për njohje të reja në këtë vit është bërë publike nga mediet e është pritur më ngurrim nga ministria përkatëse, është që Gani Jakupi është caktuar këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike, për të lobuar në vendet jonjohëse.

Gani Jakupi për një vit paguhet nga 7,500 euro në muaj, për t’ia përmirësuar Kosovës imazhin nëpër vendet si Spanja. Ky rast trazoi ujërat.

Foto ilustrim, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Gani Jakupi, këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike

“Të mos flasim për skandalet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie, pagesat që i është bërë një zyrtari për lobim, cila është puna e atij personi i cili nuk ka sjellë asnjë njohje, se të paguhet një person 7500 euro në muaj dhe të mos kemi asnjë njohje, nuk e di se cila është vlera e kësaj qeverie, mbushja e ambasadave me militantë të Listës Guxo dhe VV, pagesat që po i bëhet në mënyrë të paligjshme kryetarit të Listës Guxo për Gjermani, skandalet e njëpasnjëshme. Kjo qeveri nuk e ka shfrytëzuar as sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ende mbetet e pandëshkuar, e pasanksionuar. Me masat që i janë vendosur Kosovës nga BE-ja, kemi humbur me miliona euro nga fondet IPA, që kanë pasur të përfitojnë qytetarët e Kosovës dhe që kanë pasur të përfitojnë komunat relevante, do të thotë krejt këto si pasojë e keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit. Kjo është diplomacia dhe ky është shteti i Kosovës, që në vend të progresit, ne kemi regres në të gjitha sferat”, u shpreh Kadrijaj.

MPJD: Kontrata e Gani Jakupit është e klasifikuar

MPJD

Mungesa e njohjeve e pengon Kosovën që të lëvizë përpara.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e njeh ende Serbia dhe as Bosnje dhe Hercegovina.

Ndërsa, nga vendet e Bashkimit Evropian janë pesëshja e shumëpërfolur: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika