Krimet e pandëshkuara dhe zëri i vetmuar i Natasha Kandiqit

Kriminelët e luftës në Serbi nuk trajtohen si përgjegjës për tragjedinë në Kosovë, por si viktima të një padrejtësie ndërkombëtare. Në vend të ndjesës, shoqëria serbe ka zgjedhur mohimin. Në vend të drejtësisë, ka ngritur përmendore për ta. Zëri i Natasha Kandiqit vazhdon të jetë ndër të vetmit që ruan dinjitetin njerëzor në anën tjetër të kufirit

Më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, Serbia vazhdon të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Një shoqëri që jo vetëm nuk është përballur me të kaluarën, por po e glorifikon atë – e tillë është Serbia e sotme, me politikën zyrtare që refuzon të marrë përgjegjësi për krimet e luftës dhe për shkatërrimin që ka lënë pas.

Kriminelët e luftës në Serbi nuk trajtohen si përgjegjës për tragjedinë në Kosovë, por si viktima të një padrejtësie ndërkombëtare. Në vend të ndjesës, shoqëria serbe ka zgjedhur mohimin. Në vend të drejtësisë, ka ngritur përmendore për ta. Në vend
të reflektimit, ka ndërtuar mite. E tërë kjo atmosferë është bërë themeli i një gjenerate që po rritet pa e ditur të vërtetën për atë që shteti serb ka bërë në
Kosovë.

Përballë këtij realiteti, zëri i Natasha Kandiqit vazhdon të jetë ndër të vetmit që ruan dinjitetin njerëzor në anën tjetër të kufirit. Si themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, ajo ka kaluar dekada duke dokumentuar krimet e luftës dhe duke mbledhur dëshmi për masakrat që regjimi i Slobodan Milosheviqit i ka kryer mbi shqiptarët e Kosovës.

Në një intervistë të fundit, Kandiq paralajmëroi për një klimë gjithnjë e më armiqësore ndaj së vërtetës. “Shoqëria serbe është zhytur edhe më thellë në mohimin e krimeve në Kosovë”, tha ajo. “E vërteta këtu shihet si kërcënim, jo si kusht për pajtim”. Ajo ka të drejtë. Në Serbi është më e lehtë të glorifikosh një gjeneral të dënuar për krime kundër njerëzimit, sesa të
shprehësh empati për viktimat shqiptare.

Së fundi, Kandiq i ka reguar një këngëtareje kontraverse serbe. Jelena Karleusha deklaroi se “Kosova është Serbi”, por përgjigjja e Kandiqit ishte e drejtpërdrejtë: “Për shkak të babait tënd dhe atyre si ai që vranë shqiptarë në emër të Serbisë, Kosova është e pavarur”.

Në këtë fjali të vetme Kandiq përmblodhi gjithë thelbin e tragjedisë që Serbia nuk e pranon. Ajo nuk ia adresoi këtë përgjigje vetëm Karleushës, por një shoqërie e
cila nuk e kupton ose nuk dëshiron ta kuptojë se pavarësia e Kosovës nuk është dhuratë ndërkombëtare, por pasojë e krimeve të vazhdueshme që Serbia i ushqeu me vetëdije. Reagimi i Kandiqit nuk ishte vetëm një kritikë publike, por një akt i rrallë moral në një shoqëri ku heshtja është bërë standard.

Babai i Karleushës, Dragani, ishte zyrtar i lartë i policisë serbe në kohën e luftës në Kosovë. Ai hetoi rastin e kamionit frigorifer me rreth 80 kufoma shqiptarësh, të bartur nga Kosova, i cili në vitin 1999 doli në sipërfaqe në lumin Danub.

* * *
Është e papranueshme që një shtet, i cili aspiron integrimin në Bashkimin Europian, ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka kryer. As nuk ka kompensuar dëme. Janë qindra familje shqiptare që ende kërkojnë të afërmit e tyre të zhdukur.
Varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo e Rudnicë janë dëshmi që nuk zhduken dot me deklarata politike. Kërkimi i drejtësisë nuk është obsesion i së kaluarës, por parakusht për të ardhmen.

Serbia vazhdon t’i mohojë krimet dhe ta sabotojë shtetin e Kosovës, por nuk mund ta ndryshojë të vërtetën për përgjegjësinë që ka. Sa herë që Serbia hesht, barra bie mbi mediat, shoqërinë civile, mbi të mbijetuarit – që të mos harrojnë. Veçmas mbi politikanët, të cilët nuk duhet ta normalizojnë kurrë një shtet, i cili nuk njeh krimet e veta. Heshtja e Serbisë dhe glorifikimi i kriminelëve janë fyerje ndaj çdo viktime të luftës.

Ndoshta nuk do të jetë një gjykatë që do ta ndryshojë Serbinë dhe qëndrimin e saj për krimet. Ndoshta do të jenë zërat si ai i Kandiqit, që do ta thyejnë murin e
heshtjes. Derisa kjo të ndodhë, të gjithë duhet ta kenë të qartë: e vërteta nuk ka kompromis. As drejtësia.

Të fundit nga rubrika