Një shpërthim i ri i Ebolës ka shkaktuar vdekjen e të paktën 80 personave në provincën lindore Ituri të Republikës Demokratike të Kongos.
Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) ka shpallur zyrtarisht shpërthimin e epidemisë, ndërsa deri tani janë raportuar rreth 246 raste, kryesisht në qytetet minerare Mongwalu dhe Rwampara, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Autoritetet në Ugandë konfirmuan të premten edhe një rast të importuar të Ebolës nga Kongoja. Ministria ugandeze e Shëndetësisë bëri të ditur se një burrë 59-vjeçar, i cili vdiq të enjten, kishte rezultuar pozitiv me virusin.
Virusi Ebola u zbulua për herë të parë në vitin 1976 në territorin që sot njihet si Republika Demokratike e Kongos dhe besohet se është përhapur nga lakuriqët e natës teksa ky është shpërthimi i 17-të i kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse në vend.
Sëmundja përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore dhe përmes plagëve në lëkurë, duke shkaktuar hemorragji të rënda dhe dështim të organeve.
Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, dhimbje muskujsh, lodhje, dhimbje koke dhe dhimbje fyti, ndërsa më pas shfaqen të vjella, diarre, skuqje në lëkurë dhe gjakderdhje.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ende nuk ekziston një kurë e provuar për Ebolën dhe shkalla mesatare e vdekshmërisë është rreth 50 për qind.
Nga 80 viktimat e raportuara, katër raste janë konfirmuar laboratorikisht, sipas Africa CDC.
Raste të tjera të dyshuara janë raportuar edhe në qytetin Bunia, kryeqyteti provincial i Iturit.
Autoritetet paralajmëruan se ekziston rrezik i lartë i përhapjes së mëtejshme për shkak të zonave urbane dhe aktivitetit minerar në rajon, si dhe lëvizjeve të shumta të popullsisë drejt vendeve fqinje.
Ndërkohë, autoritetet kongoleze ende nuk kanë shpallur zyrtarisht gjendjen e epidemisë, por pritet një konferencë për media.
Në 50 vitet e fundit, rreth 15 mijë persona kanë humbur jetën nga Ebola në vende të ndryshme afrikane. Shpërthimi më vdekjeprurës në Republikën Demokratike të Kongos ndodhi mes viteve 2018 dhe 2020, kur humbën jetën afro 2,300 persona.