Greva në arsim, kush ka faj?

Ndonëse ka tri javë që nuk ka filluar ende procesi mësimor në Kosovë, njohësit e arsimit, problemin ua atribuojnë të dyja palëve

Ilustrim





Java e katërt e shtatorit në Kosovë i gjen ende në grevë 99.6 për qind të mësimdhënësve në nivel vendi, e mijëra nxënës jashtë shkollave.

Kjo për shkak të moskompromisit nga asnjëra palë, qoftë nga Qeveria e qoftë edhe nga sindikalistët e arsimit të cilët nuk heqin dorë pa u plotësuar plotësisht kërkesat e tyre.

Mësimdhënësit e institucioneve publike po vazhdojnë grevën, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj.

Ndonëse përjashtim kanë bërë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët mësimore, megjithatë, janë afro 300 mijë nxënës që nuk kanë nisur ende procesin mësimor i cili ishte paraparë të niste më një shtator.

“Fatkeqësi” të madhe për fëmijët dhe shoqërinë, e konsideron njohësi i arsimit, Egzon Gashi, bllokimin e procesit mësimor.

Ai beson se në rast se do të vazhdohet me këtë ritëm pa marrëveshje, numri i shkollave që do të nisin procesin mësimor do të rritet.

“Presioni që po vjen edhe prej prindërve dhe vetë fëmijëve veçse do të shtohet, dhe sa më gjatë që vazhdon kjo, aq më keq është për shoqërinë. Besoj që eventualisht do të kemi edhe shkolla që do të fillojnë procesin mësimor pa aprovimin apo pa dëshirën e SBASHK-ut”, ka thënë ai për Portalin Dukagjini.

Egzon Gashi – njohës i arsimit

“Faji është i dyanshëm”

Problemin nuk ia atribuon vetëm njërës palë.

Ai thotë se kompromisi dhe moskëmbëngulja janë dy faktorët që çojnë në zgjidhjen e problemit.

“Gjithmonë ka mundësi për zgjidhje, por problemi është te të dy palët të cilët janë shumë këmbëngulës. Besoj që kanë argumente të forta, por politika në përgjithësi është kompromis”, shtoi Gashi.

Në anën tjetër, për njohësin e arsimit, Osman Buleshkaj, çdo shtyrje e mësimit dhe ditëve të humbura të shkollës do të ndikojnë drejtpërdrejt në suksesin dhe rezultatin e nxënësve.

Ai në një prononcim për Portali Dukagjini, ka thënë se derisa palët po qëndrojnë larg tavolinës së bisedimeve, nuk do të ketë as zgjidhje të shpejtë.

“Ditët e humbura në asnjë formë nuk do të ketë mundësi të kompensohen në kuptimin e kompensimit të mësimit të humbur, mund të ketë zëvendësim të ditëve, por zëvendësim dhe kompensim të humbjeve mësimore që po shkaktohen në këtë periudhë në asnjë formë nuk do të ketë”, ka thënë Buleshkaj.

Osman Buleshkaj – njohës i arsimit

Situatën në të cilën gjendet sektori i arsimit, Buleshkaj e quan cenim i së drejtës për mësim.

“Mund ta quaj një situatë në të cilën interesi dhe e drejta e fëmijëve për qasje në shkollë dhe të drejtë për të mësuar nuk po respektohet. E drejta për mësim, e drejta për shkollë, po u cenohet fëmijëve”, shtoi ai.

Për Buleshkajn, faji është i dyanshëm.

“Të gjitha palët e përfshira kanë faj, sepse nuk po gjejnë rrugë, nuk po gjejnë zgjidhje për të dalë nga kriza, nuk ka vetëm një palë faj, dhe pala që po pëson janë fëmijët”, potencoi ai.

“Përgjegjësia kryesore i bie Qeverisë”

Ndryshe nga Gashi dhe Buleshkaj, njohësi tjetër i arsimit, Argjend Osmani, ndan tjetër qëndrim.

“Qeveria nuk po e kupton rolin e saj dhe nuk po mundohet të gjejë zgjidhje dhe të ulet të negociojë me partnerin e saj, por po mundohet që të bëjë ekzebicione të pamoralshme”, ka thënë Osmani.

“Përgjegjësia kryesore që po humben orët i bie qeverisë, që nuk po i merr kërkesat me seriozitet dhe nuk po ulet në tavolinën e bisedimeve që SBASHK-u të mundohet të gjejë një zgjidhje të mirë për të dyja palët”.

Ai thotë se hapat që po i merr qeveria “që ta pengojë grevën, duke u munduar që të gjejë shkolla të cilat kanë filluar punën”, nuk i konsideron si të qëlluar dhe seriozë.

“Nuk mendoj se kjo është një strategji e cila duhet të ndiqet nga një qeveri demokratike. Kemi të bëjmë me një sindikatë që i përfaqëson interesat e mësimdhënësve, dhe nuk e shoh të qëlluar që të shkohet në këtë masë, të krijohet përçarje dhe ndasi të tilla”, shtoi Osmani.

Argjend Osmani – njohës i arsimit

Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte që të dyja palët t’i përafrojnë qëndrimet, teksa shton se nuk mund të ketë zgjidhje “me sjelljet e tilla arrogante siç po bën qeveria e tanishme”.

Ai ka theksuar se kjo vetëm po e acaron edhe më tej gjendjen aktuale.

“Zvarritja e procesit mësimor – po i konvenon MASHTI-t”

Po ashtu, Osmani ka potencuar se zvarritja e procesit mësimor po i konvenon Ministrisë së Arsimit.

Kjo, për shkak se, sipas tij, ky dikaster nuk ka qenë ende i gatshëm për nisjen e procesit mësimor.

Ai ka thënë se Ministria “po e shfrytëzon këtë grevë që ta mbulojë mosorganizimin dhe keqmenaxhimin”.

“Të mos harrojmë se zvarritje të fillimit të vitit shkollor ka pasur edhe në vitet e kaluara dhe fitohet përshtypja se MASHTI prapë nuk është i gatshëm në aspektin organizativ dhe teknik ta fillojë vitin shkollor dhe po e shfrytëzon grevën që ta shtyjë fillimin e vitit shkollor. Në shumicën e shkollave të Kosovës ka filluar shpërndarja e librave, është vërejtur edhe mungesa e tyre, librat ende nuk janë shpërndarë, ka mungesë të tyre, dhe si duket Ministria po e shfrytëzon këtë grevë që ta mbulojë mosorganzimin, keqmenaxhimin”, ka thënë ai.

“Greva vazhdon”

Greva në arsim ka filluar nga 25 gushti.

Pavarësisht përpjekjeve, ende nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët midis të palëve në mënyrë që fëmijët t’u kthehen bankave shkollore.

Sindikalistët e arsimit kanë thënë se nuk do të heqin dorë derisa të plotësohet kërkesat e tyre për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj për të gjithë punonjësit e arsimit. Kjo, deri në fillimin e zbatimit të Projektligjit për Pagat.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka thënë se ky Projektligj, që parasheh rritjen e pagave për mësimdhënësit, do të dalë së shpejti në miratim.

Çka parasheh Projektligji për Pagat?

Ndryshe, Projektligji për Pagat në sektorin publik, të enjten e 15 shtatorit ka dalë në konsultim publik, teksa edhe janë bërë publike koeficientet.

Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Kosovës.

Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për arsye se ka natyrë tejet specifike të punës.

Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës për kategoritë të cilat i rregullon.

Ky projektligj përjashton mundësitë që mënyra dhe kushtet për pagë dhe shpërblime të rregullohen me akte të tjera normative, përveç kur parashihet dhe autorizohet shprehimisht me këtë projektligj.

Fillimisht, Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar një grup punues i cili ka analizuar të gjitha mangësitë dhe anomalitë e ligjit të shfuqizuar, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe ka ofruar shembuj të praktikave të mira të cilat do të mund të shërbenin në hartim të këtij ligji.

Më pas, është themeluar grupi punues i projektligjit për paga, i cili ka bërë punën substanciale në ligj.

Përgjatë hartimit të Projektligjit janë ftuar dhe konsultuar të gjitha institucionet e administratës publike.

Një koeficient ka vlerën e 120 eurove, e cila për t’u llogaritur paga, duhet të shumëzohet vlera e koeficientit me vlerën që do t’i caktohet atij.

Çfarë thotë Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga ana e Qeverisë tashmë janë bërë hapat për ta tejkaluar grevën në arsim. Por sipas tij, shantazhi nuk po pushon.

Ai në një konferencë për media nga Samiti Digjital, ka bërë thirrje që zgjidhja më e mirë është pranimi i ofertës dhe kompensimit prej 50 eurosh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Kompensimi prej 50 eurosh bëhet për t’u përballur me inflacionin dhe jo si zëvendësim i ligjit të pagave që pritet së shpejti të miratohet në Kuvend në të dy leximet. Zgjidhja më e mirë, më e drejtë është edhe mësimdhënësit të shkojnë në shkollë që të japin mësim e nxënësit të shkojnë të mësojnë. Ne kemi bërë shumë hapa, por ajo që nuk kemi parë është pushimi i shantazhit, ‘o kaq, o nuk shkojmë në punë”, ka thënë ai.

Kurti theksoi se kompensimi prej 50 eurosh paraqet rritje më të madhe se rritja e vjetshme ekonomike.

Çfarë thonë nga SBASHK-u?

Kryetari i SBASHKU-t, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva e përgjithshme e thirrur nga BSPK, është për faj të Qeverisë.

Jasharaj në Komisionin për Arsim, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po tregon interesim për dialog.

“Qeveria me barrikadimin që po bën, injorancën totale ndaj sindikatave, vlerësojmë se ka tendencë ta ngulfatë e të shuajë sindikatat dhe zërin sindikal”, ka thënë Jasharaj.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj

“Fatkeqësisht, me qëllime degraduese për mësuesin, është vënë në pah të parë diçka që nuk ka qenë kërkesa jonë fillestare, ajo 100 euro. Aq është dramatizuar dhe deformuar kërkesa legjitime që rrodhi nga procesi”, ka thënë Jasharaj.

Ndërkohë, paga aktuale e mësimdhënësve në shkollat fillore të Kosovës është 470 euro, derisa me ligjin e ri pritet që të rritet dhe të shkojë deri në 620 euro.

Ndërkaq, mësimdhënësit e shkollave të mesme aktualisht marrin nga 530 euro dhe e njëjta pritet të rritet në 696 euro.

Pas pocedurës së konsultimit publik, Projektligji për Pagat pritet të miratohet në Qeveri dhe në Kuvend.





Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika