Video 996: As ksi, as asi!

Ilustrim

Tema e cila ka prodhuar kundërshtitë më të mëdha politike në Kosovën post pavarësisë është padyshim Asociacioni/Zajednica! Mbi 200.000 qytetarë e kundërshtuan përmes peticionit dhe protestave, opozita e hallakati Kuvendin me veprime radikale deri te hedhja e gazit lotsjellës, e Gjykata Kushtetuese e shpalli jashtkushtetuese një nga marrëveshjet që prodhonte këtë institucion. Sot, paradoksalisht, ata që barten flamurin e kundërshtisë, janë pranë pranimit dhe jetësimit të këtij institucioni. Në ditët e fundit kam dëgjuar prononcime të zbutura të udhëheqësve të Kosovës për Asociacionin. Kam dëgjuar se si Asociacioni i ri dhe modern, ndoshta edhe nuk e cenon Kushtetutën. Kjo as nuk është e vërtetë e gjithsesi do të ishte e dëmshme për tri arsye thelbësore, të cilat do t’i shtrojë më poshtë:

  1. Asociacioni është autonomi territoriale dhe i kundërvihet konstruktit të Republikës, frymës dhe germës së Kushtetutës së dizajnuar sipas Pakos se Ahtisarit. Shumica dërmuese të kompetencave që parashihet t’i ketë Asociacioni, në një mënyrë apo tjetër, janë pjesë e korpusit të të drejtave për serbët që i parasheh Kushtetuta e Kosovës. P.sh. Të drejtën e financimit nga Republika e Serbisë, të drejtën për të adresuar çështje në Gjykatë Kushtetuese, të drejtën për organizim të sistemit arsimor të të gjitha shkallëve, dhe atij shëndetësor primar dhe sekondar, të drejtën të amandamentojnë ligje e gëzojnë serbët e Kosovës, të drejtën që të komandojnë policinë në komunat ku janë shumicë e gëzojnë serbët e Kosovës…… Të gjitha këto të drejta dhe shumë ma shumë se kaq (5 komuna të reja, përfaqësimin e rezervuar në Kuvend, përdorimin e barabartë të gjuhës, përfaqësimin e rezervuar në çdo instancë institucionale, të drejtën e vetos në legjislacionin për të drejtat e komuniteteve pakicë…..) i janë dhëne serbëve të Kosovës gratis nga procesi negociator i Vjenës, si nxitje për integrim. Por me duhet tua kthej në kujtesë se një faktorë i rëndësishëm që ka nxitur këtë gjenerozitet ka qenë edhe përpjekje për të evituar njësinë politike territoriale serbe në Kosovë. Negociatorët e Pakos, kanë qenë të përcaktuar ta evitojnë ndarjen e Kosovës në njësi administrative shqiptare dhe serbe. Pako e Ahtisarit, që ishte produkt negociator në trekëndëshin Ahtisaari- Kosovë-Serbi, synonte krijimin e një Kosove unitare në të cilën komunitetet integrohen sepse i disponon të gjitha të drejtat dhe ato i ka të pacenueshme, por nuk ua dha atyre vetëm një gjë. Atë që për ta e kërkoi Serbia me ngulm qysh nga procesi i Vjenës e deri sot, centralizimin e këtyre pushteteve. Serbisë nuk i mjaftojnë të drejtat e shpërndara për komunitetin serb në Kosovë, i duhet pushtet i centralizuar me të cilin e kontrollon shfrytëzimin e këtyre të drejtave. Dhe ky është Asociacioni. Është rrafshi i ndërmjetëm i pushtetit. I cili do të ketë të gjitha atributet e një autonomie të fortë politike. Përmes ti, Serbia do që të kontrollojë marrëdhënien e serbëve me Republikën e Kosovës, dhe sa herë të dojë dhe mundet, ta përdorë atë instrument kundër Kosovës! Argumenti kyç në debatin për dhe kundër asociacionit nuk është shkelja e kësaj apo asaj germe të Kushtetutës, por përmbysja e plotë e vizionit të ndërtimit të saj si një Kushtetutë moderne. Serbëve u dhanë të gjitha të drejtat, për mos tu dhënë njësia politike territoriale që atëbotë konsiderohej që mund të cenonte Republikën.

Po pse të jemi kundër një autonomie, kur shumë vende të botës kanë të tilla dhe janë funksionale?

  1. Sepse Serbia mbetet armiqësore ndaj Kosovës. Ndonëse mund edhe, t’i zbatojë germat e planit Franko-gjerman, për çka kam dyshime serioze, lidershipi i Serbisë deri sot nuk është se e ka pranuar frymën e atij Plani. E, nëse e ndjek debatin politik në Serbi, as që duket në horizont që e kanë nijet! Para se gjithash, Plani parasheh normalizim të marrëdhënieve, pra trajtim i Kosovës si palë e barabartë, ndaj të cilës nuk ke aspirata territoriale! Megjithatë, Serbia jo që nuk do ta njeh de-jure Republikën e Kosovës, për më tepër pretendon të mos e njeh integritetin e saj territorial, e as aspiratën e saj për të qenë anëtare në organizata ndërkombëtare! Edhe pas zbatimit eventual të planit franko- gjerman, Kosova rrezikon të mbetet pjesë e territorit të Serbisë në Kushtetutën e saj. Rrjedhimisht, për politikën serbe do të vlejë paradigma, për aq sa dhe aty ku mundet, Serbia do të bëjë përpjekje për cenimin e Republikës. Prandaj, krijimi i një mekanizmi si Asociacioni, i cili nuk i jep qytetarëve serb të Kosovës ndonjë të drejtë shtesë që do ta ndryshoj jetën e tyre për të mirë në Kosovë, por vetëm ua mbivendos influencën e shtetit serb si komuniteti nuk është gjë e mençur për tu bërë! Do të ishte storie tjetër, sikur Serbia të ishte sjellë miqësore ndaj Kosovës. Në atë rast argumenti i parë nuk do të vlente, sepse autonomitë nuk janë apriori të dëmshme për zgjidhjen e problemeve të pakicave. Por, që ato të funksionojnë, shtet amë duhet të kenë së pari marrëdhënie, dhe se dyti të mira, me shtetin ku do të instalohej autonomia! Përndryshe, autonomitë shndërrohen në armë sabotimi shtetesh!
  2. Dhe një prej arsyeve të rëndësishme pse Serbia nuk e njeh Kosovën, ka të bëjë me orientimin e saj gjeostrategjik! Serbia nuk e do vetën pjesë të familjes euroatlantike. Në Serbi intervenimi i NATO-së në Kosovë ende përjetohet si krim, të cilin e ka shkaktuar ndaj saj komuniteti euroatlantik! Preferencat e elitave politike në Serbi janë të mbesin të ulura në dy karrige, mes Evropës dhe Rusisë, sa më larg SHBA-së! Ato aspirojnë integrim në BE, nga e cila varen ekonomikisht, por këmbëngulin të logjikojnë si pjesë e oponencës së komunitetit euroatlantik. Politika e jashtme e Serbisë, nëse nuk detyrohet të veprojë ndryshe, yll polar e ka Rusinë. Për më tepër, në Serbi ka pasur një investim serioz rus në sektorin e sigurisë, i cili pasqyrohet në hezitimin serb për ta vënë qoftë edhe në diskutim anëtarësimin në NATO. Si e tillë Serbia, nuk është vetëm kundërshtar i Kosovës, por është pjesë e një formacioni më të gjerë gjeopolitik që i kundërvihet NATO-s. Në këtë frymë, Serbia është vendi i vetëm në Evropë që ka rezistua të sanksionojë Rusinë, në përkrahje të Ukrainës. Duke qenë e tillë, është naivitet të besohet se në një të ardhme, qoftë Serbia, ose përmes saj Rusia, mos ta përdorë instrumentin e asociacionit për të ushtruar ndikimin në Kosovë. Ato kanë tentuar tanimë ta bëjnë këtë pa e pasur asociacionin fare. Një shembull ilustrues në këtë aspekt mund të jetë sulmi terrorist i Banjskës. Serbia vendosë të çojë grupe të armatosura në Kosovë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me politikat dhe interesat e NATO-s. Një numër i madh analistesh mendojnë se Aleksandër Vuçiq nuk ka pas njohuri për sulmin që ndodhi. Le të themi se kjo është e vërtetë. Atëherë shtrohet pyetja, kush ka pas njohuri për këtë sulm? A është e mundur që Rusia të ketë bërë këtë përpjekje destabilizimi në Kosovë, prapa shpinës së Presidentit serb, përmes vartësve të saj në Serbi ? Edhe nëse kjo është e vërtetë, problemi mbetet i njëjtë. Kosova nuk duhet t’i vë në dispozicion, me vetëdije, Serbisë apo Rusisë një instrument të ri politik, me të cilin do ta ndikojnë, në rastin më të mirë, e sigurisht edhe sabotojnë e luftojnë.

Pyetja e logjikshme është si t’ia bëjmë? Bashkësia perëndimore na ka hypur në qafë për këtë dreq asociacioni!

Kosova nuk ka forcë që ta bëjë Serbinë miqësore e as dashamire të familjes euroatlantike. Kjo barrë i bie SHBA-së dhe BE-së. Kosova duhet t’i adresojë shqetësimet e saj me aleatët dhe të tregojë gatishmëri për të kontribuuar në këtë drejtim. Por në as një mënyrë nuk duhet të ec tutje, pa marrë garancat të cilat do të parandalojnë këto zhvillime negative, pa marrë zotim që e bënë bashkësinë euroatlantike bashkëhisedare të këtyre brengave. Çfarëdo ndëshkimi që mund të na vije si pasojë e moszbatimit të Asociacionit do të jetë shumëfish më i vogël se pasojat që na sjell themelimi i tij në këto kushte!

Të fundit nga rubrika