Sa herë shkoj në Bosnjë dhe Hercegovinë është e pamundur të ndihem rehat dhe të mos sjell ndërmend gjithë tmerrin që ka përjetuar ky vend dhe qytetarët e tij në luftën e para 30 vjetësh. Ndasitë etnike janë ende të mëdha, ndërkohë që vendi vuan zgjidhjen politike që i dha fund luftës, duke e shndërruar në një shtet thuajse jofunksional. Por gjatë vizitës së fundit, muajin e kaluar, një vendim gjykate bëri histori.
Një gjykatë e dënoi me dy vjet e gjysmë burgim Vojin Pavloviqin, kryetarin e shoqatës proruse Alternativa Lindore e Republikës Srpska – për mohimin dhe lartësimin e gjenocidit në Srebrenicë, si dhe për lavdërimin e kriminelit të luftës Ratko Mladiq.
Në vendimin e tij, gjyqtari Goran Radeviq tha se ky është një moment historik për praktikën gjyqësore në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe u bëri thirrje prokurorive t’i ndjekin penalisht rastet e tilla. Sipas tij, veprimet e Pavloviqit nuk përbënin shprehje të opinionit politik në kuadër të lirisë së fjalës, por “mohim të ashpër të gjenocidit”.
Më 10 mars 2023, në një udhëkryq në Bratunac, Pavloviq kishte vendosur një pankartë me fotografinë e Mladiqit, ish-komandan i ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në pankartë shkruante: “Gëzuar ditëlindjen, rrofshi me shëndet”.
Në aktgjykim thuhet se Pavloviq, në cilësinë e kryetarit të shoqatës, ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se me këtë veprim ka madhëruar Mladiqin. Ai, po ashtu, është shpallur fajtor për miratimin dhe përpjekjen për të justifikuar gjenocidin në Srebrenicë nëpërmjet organizimit të një tubimi në Bratunac më 11 korrik 2023, për të cilin kishte përgatitur posterë me mbishkrimin “11 Korriku – Dita e Çlirimit të Srebrenicës. Faleminderit Ushtrisë së Republikës Srpska”. Posterët u vendosën në zona të ndryshme të komunës së Bratunacit, vetëm disa kilometra larg Srebrenicës.
Dënimi i Pavloviqit është vendimi i parë i këtij lloji në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ish-Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në këtë shtet, Valentin Inzko, kishte vendosur në korrik të vitit 2021 të ndryshojë kodin penal dhe, nëpërmjet tij, të ndalojë dhe ndëshkojë mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës, si dhe lartësimin e kriminelëve të luftës.
Shoqata Alternativa Lindore e Republikës Srpska përveç kriminelëve të dënuar të luftës ka lartësuar edhe presidentin e entitetit serb, Milorad Dodik. Kjo shoqatë është kundër Bashkimit Europian dhe bashkëpunimit me NATO’n, ndërkaq përkrah bashkëpunimin me Rusinë, Kinën “dhe të gjitha shtetet që janë miqësore ndaj popullit serb”. Po ashtu, shoqata angazhohet për pavarësinë e Republikës Srpska dhe për “vërtetimin e së vërtetës” mbi Srebrenicën.
Më 23 maj 2024 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë me të cilën 11 korriku shpallet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe lartësimi i kriminelëve të luftës.
* * *
Në vitin 2019 gjykata në Prishtinë kishte dënuar me burgim Ivan Todosijeviqin, ish-ministër i Qeverisë së Kosovës, për shkak të nxitjes dhe përhapjes publikisht të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Kosovë, të cilat sanksionohen me Nenin 147 të Kodit Penal të Kosovës. Ai kishte deklaruar se “masakra e Reçakut ka qenë një trillim i shqiptarëve terroristë”. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte thënë se Reçaku është i fabrikuar dhe falsifikuar nga “mashtruesi i botës, hajni dhe gënjeshtari (William) Walker. Sipas tij, anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën frazë.
Që atëherë, qasja ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë nuk ka ndryshuar as nga Vuçiq, as nga Lista Serbe. Krimet mohohen dhe përgjegjësia për to mungon. Madje nuk ka as kërkimfalje.
Është e domosdoshme që mohimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të parashihen si vepra penale të veçanta. Vetëm në këtë mënyrë arrihet tek e vërteta dhe pajtimi. Vetëm në këtë mënyrë “vijnë në vete” mohuesit e krimeve. Mohimi i krimeve është krim, nuk është liri e fjalës.