Më 3 gusht 2025, partia serbe Novo lice Srbije njoftoi se Iniciativa Qytetare kosovare “Narodna pravda” i është bashkuar dhe se në Kosovë do të veprojnë me emrin “Novo lice – Narodna pravda”.
Pas publikimit të koalicionit, ata deklaruan se serbët në Kosovë janë lënë në “mëshirën e Milan Radoiçiq dhe Albin Kurtit, me të cilët Lista Serbe (Lista Srpska) ka marrëdhënie miqësore”, dhe se është thelbësore që serbët të luftojnë për të qëndruar në institucione dhe për të mbrojtur komunat ku shumica është në zgjedhje.
Tashmë, politika zyrtare e Beogradit dhe e Listës Serbe është e qartë: kush nuk i voton, shpallet “tradhtar” dhe linçohet.
Siç e tregon edhe reagimi i Listës Serbe, çdo alternativë përshkruhet si “krah i zgjatur i Albin Kurtit”, ndërsa LS ia atribuon vetes monopolin e përfaqësimit “autentik” të serbëve, duke akuzuar kundërshtarët se duan “të eliminojnë të gjithë përfaqësuesit autentikë serbë”. Për më tepër, institucionet e Kosovës kornizohen si “pushtim dhe ndërhyrje e dhunshme e Prishtinës”, gjuhë që përdoret për të frikësuar votuesit dhe për të stigmatizuar serbët që zgjedhin pjesëmarrjen në institucione si “tradhtarë”. Kjo tregon se mesazhi nuk synon zgjedhje demokratike, por ruajtjen e kontrollit përmes linçimit politik.
Prandaj Lista Serbe godet çdo alternativë të re në Kosovë: synimi është autokracia; mjeti, shantazhi, stigmatizimi dhe blerja e votës.
Në zgjedhjet e shkurtit 2025, Misioni i Vëzhgimit të BE-së (EU EOM) raportoi presion mbi votues të varur nga ndihma sociale dhe punësimi i Serbisë, duke lënë pak hapësirë reale për pluralizëm serb.
Ky model i blerjes së votës përmes “shantazhit të butë” pritet të rishfaqet në tetor, në zgjedhjet lokale në Kosovë, me skemat e quajtura “ndihmë sociale” të operuara nga e ashtuquajtura “Zyra për Kosovë dhe Metohi”. Siç ka deklaruar publikisht Petar Petkoviq, nga vjeshta 2025 do të nisë një raund i ri pagesash mujore prej 20.000 dinarësh për 5.000 persona të tjerë në Kosovë, pikërisht para zgjedhjeve lokale të tetorit (shih: https://x.com/gurakuqkuqi/status/1947617574880940385). Kjo vjen mbi skemat ekzistuese, duke zgjeruar mbulimin dhe presionin elektoral.
Në thelb, “ndihma sociale” përdoret si levë varësie politike: ruan monopol partiak, saboton integrimin institucional të serbëve në Republikën e Kosovës dhe e kthen procesin zgjedhor në një mekanizëm të kontrolluar.
Nga e gjithë kjo del se demokracia te serbët në Kosovë është ankthi i regjimit të Vuçiçit. Kjo është dëshmuar me dhjetëra herë, nga vrasja e opozitarëve serbë në Kosovë, si Oliver Ivanoviqit, te stigmatizimi i tyre, e deri te manipulimi i opinionit me opozitarë të rremë, si në rastin e Aleksandër Arsenijeviqit.
Çfarë duhet të ndodhë para tetorit
- Task-forcë KQZ–Prokuroria–Policia kundër blerjes së votës: hetime të shpejta, linjë raportimi anonime, mbrojtje dëshmitarësh.
- Auditim i rreptë i flukseve të parave që hyjnë nga Serbia dhe i transaksioneve të dyshimta.
- Mbikëqyrje ndërkombëtare e shtuar në komunat me shumicë serbe; EU EOM/OSBE të implementojnë monitorim të synuar mbi rrjetet e “ndihmës” dhe punësimit.
- Sanksione të synuara (BE/SHBA dhe Kosovë) ndaj zyrtarëve që operojnë skemat e kushtëzimit elektoral.
- Mesazh publik i qartë: pjesëmarrja e serbëve në institucionet e Kosovës nuk është tradhti; intimidimi politik ndiqet penalisht.
Për fund duhet ta kemi parasysh se:
Kjo s’është “ndihmë sociale”; është tarifë besnikërie me para publike. Në tetor vendoset nëse Kosova dhe SHBA-BE pranojnë votime të lira apo menaxhim varësie të serbëve. Tani duhen hetime, auditim i fondeve dhe monitorim i synuar, ose pranojmë që gara është farsë.
Nëse frika paguhet, kutia e votimit shndërrohet në arkë të regjimit dhe nëse opozita linçohet, demokracia shëndrrohet në diskurs të autokracisë.