Shkruan Radomir Dimiç
Autokrati serb, nga një Serbi fashiste, siç e quajti Nenad Çanak të shtunën, më 20 shtator, përjetoi një fiasko diplomatike.
Në vend të një demonstrimi triumfal të forcës dhe të prestigjit ndërkombëtar, parada ushtarake e Beogradit do të mbahet mend për faktin se asnjë president, asnjë kryeministër, asnjë burrë shteti botëror nuk erdhi në këtë paradë – pompoze, me ditë të tëra të shpallur, si më serbja dhe më modernja. Prania e disa sheikëve arabë dha më shumë përshtypjen e një marrëveshjeje biznesi sesa të një mbështetjeje diplomatike.
Kjo në fakt është pasqyra më e vërtetë e pozitës ndërkombëtare të Aleksandar Vuçiçit dhe e izolimit të papritur. Ftesat ishin dërguar në të gjitha adresat e rëndësishme, por përgjigje nuk pati. Nuk erdhën as miqtë nga Rusia, as nga Evropa e pasur me litium, madje as ata që Vuçiç i quante “vëllezër”. Nuk erdhi as Orbán, as Rama, as Macron, nga i cili Serbia bleu avionë shumë të shtrenjtë.
Kritikat nga bota dhe rajoni erdhën njëra pas tjetrës. Kritikët theksuan se parada ishte menduar më pak për të treguar fuqinë e ushtrisë dhe më shumë për të forcuar sundimin populist të Vuçiçit, të vënë tashmë në pikëpyetje nga studentët dhe nën një kontroll gjithnjë e më të madh ndërkombëtar për pushtetin e tij gjithnjë e më autoritar.
Në rreshtin e parë nuk pati vend as për Dodikun dhe përfaqësuesit e Republikës Srpska. Një turp edhe më të madh e solli flamuri shtetëror me ngjyra të shumëfishta. U ngrit pyetja: e kujt është ushtria serbe – e popullit apo ushtri private e Vuçiçit?
Një hije të veçantë mbi tërë ngjarjen e hodhi fakti se qytetarëve dhe studentëve nuk iu lejua hyrja në paradë, megjithëse Ministria e Mbrojtjes i kishte ftuar të gjithë të merrnin pjesë. Në praktikë, qasjen e kishin vetëm ata që ishin sjellë të organizuar dhe të kontrolluar paraprakisht.
Pra, sipas Vuçiçit, studentët janë një konglomerat antimilitarist.
Ata janë të njëjtët që pothuajse një vit të tërë kanë protestuar pas shembjes së çatisë dhe tragjedisë së madhe në Novi Sad me numër të madh viktimash. Dhe ja pamja e gjerë e “Serbisë së drejtë” të Vuçiçit: ndërsa ministri i dyshuar Vesiq qëndron në apartman spitalor, studentët lidhen me pranga për shtrat ose dërgohen diku në zinxhirë, në shekullin XXI.
Kështu huligani më i madh serb fiton mbi “revolucionin me ngjyra” dhe feston paradën e tij personale të ushtrisë “popullore”. Dhe nuk i ndali as duke u thyer nofullat, as me represione të ashpra kundër tyre. Studentët kanë planin e tyre: ta bashkojnë vendin dhe ta tërheqin vëmendjen e tërë botës, pa një “revolucion Majdan”, siç u është atribuar në mënyrë të padrejtë.
Policia dhe xhandarmëria ndaluan studentët që dëshironin të tregonin se ushtria i përket popullit, e jo një njeriu të vetëm. Ironia është e dhimbshme: ushtria, e përcaktuar në kushtetutë si popullore, u shndërrua në një skenografi për promovimin personal të pushtetit.
Pamje të tilla, për fat të keq, kujtojnë momentet më të errëta historike: paradat e bllokut sovjetik ku populli mund të shihte vetëm nga larg, ose Amerikën Latine të viteve ’80, kur gjeneralët mbyllnin rrugët për të demonstruar forcën para tribunave bosh dhe qytetarëve të frikësuar.
Mesazhi është i qartë: ushtria nuk ishte aty për të mbrojtur popullin, por për të mbrojtur regjimin. Dhe kjo është gjithmonë një pikë e rrezikshme kthese në histori, kur uniforma shndërrohet në mburojë politike të diktatorit dhe mafias së tij, të Milan Radoiçiçit, e jo të shtetit.
Në fund, Vuçiç deshi të tregonte se ushtria dhe “kobrat” e tij qëndrojnë pranë tij, e jo pranë studentëve dhe qytetarëve të Serbisë. Ja bilanci përfundimtar i të ftuarve të lartë në paradë: asnjë ambasador, president apo kryeministër; as nga lindja, as nga perëndimi, as nga fqinjët, madje as nga Koreja e Veriut. Askush nuk deshi të ndajë tribunën me diktatorin serb. Dhe për këtë mbetet përshtypja se “parada e forcës” ishte një shfaqje e narcisizmit, e vetmisë, një fiasko politike dhe diplomatike.
Kur ushtria mbyllet para popullit, atëherë shteti i ka hapur dyert shkatërrimit të vet dhe fundit të Kaligulës.