Kosova në buzë të humnerës: Qeveri që improvizon, opozitë që s’kupton dhe intelektualë që heshtin

Qeveria e Kosovës

Nëse sot dikush e shikon Kosovën nga jashtë, vëren një vend të vogël, të lodhur, të polarizuar dhe të lënë pothuajse vetëm. Një vend që dikur ishte histori suksesi në demokraci, ndërsa sot flitet më shumë në kontekst të tensioneve me aleatët, ngecjeve të brendshme dhe mungesës së perspektivës. Për të kuptuar se si arritëm këtu, nuk mjafton analiza politike e ditës. Ndoshta do bënte mirë të reflektojmë sepse Kosova nuk është thjesht në krizë qeverisjeje. Është në krizë sistemi, në krizë mendjeje, në krizë orientimi…
Dhe kur një shtet të vogël e kap tri herë një krizë e tillë, ai nuk rrezikon vetëm ngecje por edhe më shumë rrezikon të rrëshqasë!

Nëse nisemi nga Habermas i cili vëren që demokracia ekziston vetëm kur sfera publike është e lirë, kritike dhe racionale e shohim që sot në Kosovë, sfera publike është e dominuar nga polarizimi emocional, militantizmi, analiza sipërfaqësore, debatet me shumë britma e posaqërisht me mungesë të mendimit të pavarur akademik.
Qeveria e sotme ka ditur ta përdorë me mjeshtëri këtë boshllëk dhe tërë narrativën e përditshme e ndërton mbi konfrontim dhe heroizëm, ndërsa problemet strukturore i fsheh pas retorikës. Por në këtë opozita deri më tani nuk ishte fare më e mirë sepse ajo kishte hyrë në të njëjtën lojë, pa projekt, pa studim, pa vizion. E si rezultat Kosova fitoi një sferë publike të helmuar ku fjalët peshojnë më shumë se faktet, dhe emocionet më shumë se dija. Me siguri që Habermas do të vinte në përfundim që Kosova e ka humbur arbitrin e arsyes.

Në anën tjetër Max Weber politikën dhe veprimin politik e sheh nga dy anë etike duke ndarë etikën e bindjeve dhe etikën e përgjegjësisë. Ajo që është interesante, në Kosovë duket që jo vetëm qeverisë por edhe opozitës i mungonin të dyja.
Qeveria vepronte me impuls elektoral, pa analizë pasojash, pa studim të realitetit ndërkombëtar. Vetë Weber do të thoshte se kjo është politikë e pajetë, përkatësisht retorikë pa substancë, vendimmarrje pa përgjegjësi.

Por nga ana tjetër edhe opozita duket që nuk kishte as etikë bindjesh e as parime të forta, as etikë përgjegjësie e me këtë as projekte serioze. Opozitën gjatë gjith kohës e kemi parë të ekzistojë thjesht vetëm si “reagim” por fatkeqësisht jo si alternativë. Loja e saj politike ishte vetëm si “kundërshtim”, por kurr nuk ka mundur të paraqitet si ofertë. Gjatë gjith kohës ajo ishte vetëm një komentuese pa vizion. E Weber në këtë rast me siguri që do të na paralajmëronte se një vend ku edhe qeveria edhe opozita operojnë jashtë dy etikave, është vend i rrezikuar nga boshllëku i liderëve dhe boshllëku i mendjes. Fatkeqësisht ky është rreziku që përjeton sot Kosova.

Kosova përjetoi izolimin diplomatik për shkak të mosdijes dhe moskompetencës. Kissinger moskompetencën dhe izolimin e shihte si formulë të shkatërrimit të një shteti të vogël. Si njeriu që kuptoi më mirë se kushdo logjikën e fuqive të mëdha me siguri se Kissinger do të ishte i ashpër me Kosovën e sotme. Ai do të thoshte që një vend i vogël por i rrethuar nga interesa të mëdha, nuk ka luks të bëjë politikë pa ekspertizë. E pikërisht këtë e ka bërë qeveria e deritanishme e Kosovës duke u futur në konflikt me aleatët tradicionalë në mes tjerash për shkak të menaxhimit të papjekur të dialogut e vendimeve me inercion, pa analiza strategjike. Gjatë kësaj qeverisjeje vërehej qartazi mungesa e planifikimit afatgjatë që shkaktonte një izolim diplomatik në rritje të vazhdueshme dhe krahas kësaj duke shkaktuar edhe nxitje të përçarjes mes partnerëve perëndimorë. Kissinger me siguri që tërë këtë politikë do ta shihte si “politikë romantike”, të rrezikshme në një rajon ku gjeopolitika nuk fal gabime. Por faji nuk është vetëm i qeverisë sepse deri më tani është vërejtur që as opozita nuk arrinte të lexojë kontekstin ndërkombëtar. Ata akterë që do mundeshin ta bënin atë sikur u përbinë nga vet subjektet e tyre. E akterë të tjerë (shumë jokompetent) diplomacinë e interpretonin si retorikë, jo si art të fuqisë dhe interesit. Në këtë kuptim, qeveria nuk kishte kontroll të realitetit e opozita nuk kishte kontroll të dijes. E kjo është formula më e keqe për një shtet të brishtë. Nga kënevështrimi i dikujt si Chomsky me siguri do të vërehej që Kosova po prodhon “konsensus të rremë” e sipas tij rreziku fillon pikërisht atëherë kur kotësia maskohet si sukses. Chomsky argumenton se shoqëritë e brishta janë të rrezikuara kur propaganda fabrikon realitet paralel, e Kosova sot po krijon pikërisht këtë. Ne po jetojmë në një sistem në të cilin qeveria izolimin e paraqet si sukses strategjik e opozita thjesht nuk ka kapacitet ta demaskojë.

Kështu formohet një konsensus i rremë, ku gjërat duken më mirë se janë. E në këtë realitet artificial, qytetarët nuk e kuptojnë rrezikun e vërtetë që Kosova po humbet aleatët në një kohë kur Serbia po fiton terren. Kosova po izolohet kur duhet të globalizohet e po improvizon kur duhet të planifikojë. E nëse bazohemi te Chomsky me siguri që do të kuptonim që problemi nuk është propaganda, por mungesa e njerëzve që ia thyejnë maskën propagandës.

Por plaga më e rëndë e Kosovës në këtë situatë është që elita mendimtare është e heshtur. E ato zakonisht heshten kur kapen. Kapja mund të jetë frigë dhe oportunizëm. Bourdieu na paralajmëron se elitat e kapura nuk e shpëtojnë vendin por ato e fundosin atë. Në Kosovë duket sikur universitetet, profesorët, akademikët e intelektualët shpesh heshtin për shkak të frikës, oportunizmit, varësisë nga projektet, komoditetit personal e.t.j. Kjo ka krijuar një boshllëk të rrezikshëm duke u parë që Kosova ka shumë njerëz me tituj, por pak njerëz me zë. Shumë doktoratura, por pak që guxojnë të thonë të vërtetën. Kjo pastaj qon te pasja e shumë opinionistëve por pak mendimtarëve. E kur këto janë mungesë atëherë natyrisht që krijohet hapësirë që qeveria të improvizojë, opozita të çoroditet dhe populli të humbë orientimin. Pastaj është e natyrshme që Kosova sot rrezikon të rrëshqasë drejt një modeli ku pushteti nuk ka më korrigjim e as opozita nuk ka më peshë. Kosova veq është bërë një vend ku intelektualët nuk kanë më guxim, e ku ka rënë edhe roli i medias. Kjo qon në atë që pastaj qytetarët nuk kanë më informacion të vërtetë.

Një situatë e tillë është paradhoma e çdo krize të madhe sistemi. Qeveria po e shtyn vendin drejt izolimit e përballë ka pasur një opozitë që nuk dinte ta ndal e ka mbetur pa intelektualë që flasin. Nëse kjo triadë vazhdon, Kosova nuk do të humbasë vetëm ritmin e zhvillimit por edhe vetë natyrën e sistemit demokratik. Ky është momenti i fundit kur elitat duhet të flasin, opozita duhet të mësojë e kur qeveria duhet të edukohet e Kosova të zgjohet nga iluzioni. Krejt kjo ngase një shtet nuk e merr tatëpjetën vetëm nga gabimet e pushtetit por edhe nga heshtja e atyre që do duhej ta mbronin.

Autori i tekstit është Blerim Canaj, ish-diplomat dhe ligjërues në UBT.

Të fundit nga rubrika