Në politikën kosovare manipulimi nuk bëhet gjithmonë nëpërmjet gënjeshtrave të drejtpërdrejta, por shpesh edhe nëpërmjet mjegullimit të realitetit, duke krijuar narrativa që tingëllon bindëse për publikun, por që nuk kanë të bëjnë fare me faktet. Këtë teknikë po e përdor Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me votimin e diasporës. Në disa paraqitje publike, figura të partisë kanë insistuar se opozita po ua pamundëson qytetarëve jashtë vendit të votojnë në hapësira të posaçme, si shkolla, qendra komunitare apo ambiente të tjera. Ideja tingëllon OK, por problemi i vetëm është se nuk rregullohet me ligj.
E vërteta është krejt e thjeshtë: legjislacioni aktual parasheh votim për diasporën nëpërmjet postës dhe në përfaqësitë diplomatike – ambasada dhe konsulata. Pikë. Po ashtu, kosovarët që jetojnë jashtë mund të vijnë dhe të votojnë fizikisht në Kosovë.
Sipas ligjit nuk ka hapësira shtesë, nuk ka “vende alternative” që kthehen në qendra të improvizuara votimi. Këtë e di secili dhe secila që e ka lexuar ligjin, padyshim edhe VV’ja, e cila e ka udhëhequr qeverinë për gati pesë vjet dhe e ka pasur gjithë kohën e botës për t’i propozuar ndryshimet që sot po i përmend.
Por, në vend se të thotë qartë se një gjë e tillë nuk është e parashikuar, partia në pushtet zgjedh një rrugë tjetër: e paraqet opozitën si penguese të së drejtës së diasporës për të votuar. Është një taktikë e njohur e saj – viktimizimi politik – nëse nuk ke arritur të ndryshosh ligjin kur kishe votat, përpiqu të bindësh publikun se fajin e kanë të tjerët; nëse nuk e ke sjellë reformën zgjedhore në Kuvend, thuaj se opozita nuk po e lejon; nëse nuk je i gatshëm të marrësh përgjegjësi për atë që nuk ke bërë, krijo mospërputhje mes fakteve dhe perceptimit. Sepse perceptimi është terren më i butë, më i lehtë për t’u përpunuar, sidomos për një parti që ka mjeshtëri të prova të vjetra në mobilizimin emocional të mbështetësve.
Kjo narrativë nuk synon t’i bindë ekspertët e të drejtës zgjedhore, as ata që i lexojnë ligjet. Kjo narrativë synon publikun e gjerë, atë që nuk ka kohë të merret me nene dhe paragrafë, e që shpesh ndikohet nga deklaratat e shpejta nëpër studio televizive dhe rrjete sociale. Në atë terren, fjala “opozita po e pengon votimin e diasporës” tingëllon si thirrje për drejtësi të munguar. Dhe kështu, nëpërmjet një keqinformimi të qëllimshëm, krijohet një iluzion i komfortit politik për pushtetin.
* * *
E gjithë kjo nuk është vetëm një debat teknik. Është një pasqyrë e mënyrës se si Vetëvendosja po e përdor diskursin publik për të ruajtur mbështetjen, edhe kur realiteti nuk është në anën e saj. Kjo parti e ka kuptuar prej kohësh se diaspora është një nga bazat më solide elektorale – një elektorat emocional, i lidhur me narrativën e “ndryshimit” dhe “drejtësisë sociale”. Po aq e ka kuptuar se sa herë që këtë elektorat e paraqet si të pambrojtur, të penguar, fiton pikë politike brenda dhe jashtë vendit. Prandaj, krijimi i një armiku imagjinar – në këtë rast, opozita që “nuk po e lejon votimin jashtë ambasadave” – është pjesë e lojës.
Në fakt, sikur VV të kishte pasur vullnet për ta reformuar votimin e diasporës, sot do të flisnim për amendamente të miratuara, për procedura të reja, për standarde të qarta. Një qeveri me më shumë se 50 për qind votash të fituara nuk ka asnjë arsye të thotë se diçka nuk është bërë për faj të opozitës. Kjo është thjesht mënyra më e lehtë për t’i shpëtuar përgjegjësisë.
Në fund të fundit, çështja nuk është kush dhe si do të votojë, por a mund t’i besohet një pushteti që manipulon me të vërtetën për çështjet më bazike të procesit demokratik. Sepse, nëse gënjehet kaq lirshëm për një detaj procedural që është i shkruar bardh e zi në ligj, imagjinoni sa më lehtë gënjehet për gjëra që nuk janë të shkruara askund. Mosbesimi nuk lind nga dallimet politike, por nga mënyra se si politika trajton të vërtetën.
Në këtë rast, e vërteta është shumë më e thjeshtë se sa versioni i saj në politikë: diaspora ka të drejtë të votojë, por vetëm brenda rregullave ekzistuese. Çdo gjë tjetër është manipulim. Dhe manipulimi nuk është as reformë, as demokratizim. Manipulimi është vetëm dëshmi se dikush ka më shumë interes të ruajë pushtetin sesa të respektojë procedurat që garantojnë votën e lirë.