Arkëmorti i PD-së!

Ka patur momente në historinë e forcave politike që nuk kanë shënuar vetëm humbje elektorale në përballje , por që kanë vdekur simbolikisht. Në Shqipëri humbja e tmerrshme ka ndodhur jo nga disfatat elektorale apo krizat kalimtare të lidershipit, por nga momente kur vetë politika u dorëzua përfundimisht përballë dhunës.

Për Partinë Demokratike shqiptare, ky moment mbetet 8 janari.

Ajo që ndodhi atë ditë nuk ishte një akt spontan zemërimi, as një përplasje e rastësishme mes militantësh. Por ishte një sulm i vetëdijshëm, i organizuar dhe thellësisht primitiv, i ushtruar nga ish-kryetari i saj dhe një grup ndjekësish të verbër, kundër vetë shtëpisë politike që ai dikur kishte drejtuar. Një paradoks shumë i errët ky, ku një parti që lindi si simbol i pluralizmit, u shndërrua në arenë dhune nga ata që pretendonin ta shpëtonin.

Dhuna në politikë është gjithmonë shenjë e fundit.

Ajo shfaqet kur argumentët kanë vdekur, kur legjitimiteti është konsumuar dhe kur pushteti nuk buron më nga idetë, por nga frika. Më 8 janar, PD-ja nuk u sulmua nga kundërshtarët e saj, por nga vetvetja. Dhe kjo e bën aktin edhe më tragjik, ku vetë-shkatërrimi mbetet forma më e pastër e falimentimit politik.

Ajo ditë nuk rrëzoi vetëm një derë selie, por rrëzoi kufijtë moralë të një force që dikur pretendonte të përfaqësonte rendin kushtetues, ligjin dhe institucionin. Çekiçët, shkopinjt dhe dhuna u bënë gjuhë politike. Debatet u zëvendësuan nga instinktet, ndërsa idetë nga brutalitetet. Ky mbeti momenti, kur PD-ja pushoi së qeni si parti dhe u kthye në turmë.

Që prej asaj dite, çdo përpjekje për ringritje ka tingëlluar si zë nga brenda një arkëmorti. Sepse politika nuk vritet vetëm nga kundërshtari, por ajo vdes kur humb sensin e vet civilizues. Një parti që dhunon veten, nuk ka më autoritet moral të flasë për demokraci, për shtet ligjor apo për pluralizëm.

Figura e liderit që nxit dhunën ndaj shtëpisë së tij politike mbetet një nga imazhet më të errëta të tranzicionit shqiptar. Ajo figurë dëshmon qartë jo vetëm krizën e një partie, por krizën e një kulture politike që nuk pranon largimin, që nuk pranon ndryshimin. Kur pushteti bëhet identitet personal, çdo institucion që nuk i bindet, trajtohet si armik.

Kështu, arkëmorti i PD-së nuk është vetëm një metaforë për një seli të dhunuar. Është simboli i një force që me 8 janarë mbylli brenda vetes historinë, idealet dhe arsyen e ekzistencës së saj. Dhe arkëmortet politike nuk hapen me thirrje emocionale apo me nostalgji. Ato hapen vetëm nga një akt i thellë ndarjeje me dhunën, me kultin e individit dhe të shkuarën që refuzon të largohet.

Derisa kjo të ndodhë, PD-ja do të vazhdojë të jetojë jo si alternativë politike, por si kujtim i asaj që mund të kishte qenë, një kujtim i mbyllur, i heshtur, brenda një arkëmorti të vetëshkaktuar…

Të fundit nga rubrika