Ky lajm është një paravendim i rëndë gjyqësor, për më tej, është një moment historik dhe thellësisht politik, që prek jo vetëm Hashim Thaçin si individ, por vetë objektivin e luftës së UÇK-së dhe shtetformimit të Kosovës.
Kërkesa e Prokurorisë Speciale për deri në 45 vite burg ndaj ish-Presidentit të Kosovës dhe ish-kryetarëve të UÇK-së është kulmi i një procesi që prej fillimit ka qenë kontestues, i pazakontë dhe i pabarabartë në perceptim. Jo për shkak se krimet e luftës nuk duhen hetuar, përkundrazi, drejtësia është e domosdoshme, por sepse këtu drejtësia po ndërtohet mbi një gjykatë unike në botë, e ngritur vetëm për njërën palë të konfliktit.
Në këtë proces, UÇK-ja trajtohet si subjekt kriminal i strukturuar, ndërsa krimet sistematike të aparatit shtetëror serb, të dokumentuara nga OKB, Këshilli i Europës dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, mbeten jashtë kësaj salle. Kjo e krijon ndjesinë e një drejtësie selektive, që rrezikon të barazojë agresorin me viktimën.
Hashim Thaçi tashmë nuk mbetët një emër në histori, por është një nga figurat kyçe të rezistencës së armatosur, më pas i procesit të paqes, i Rambujesë, i shpalljes së pavarësisë dhe i ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Kështu, një dënim i tillë nuk bie vetëm mbi një individ, por mbi një epokë të tërë politike dhe historike.
Nëse aktakuzat dhe dënimet shndërrohen në trajtime politike, ekziston rreziku që lufta çlirimtare e Kosovës të degradohet në diskutim ndërkombëtar si konflikt i brendshëm kriminal duke përjashtuar rezistencën ndaj një regjimi shtypës e gjenocidal.
Edhe nqs gjykata synon drejtësi, mënyra se si është ndërtuar dhe funksionon kjo strukturë ka prodhuar një ndjenjë të thellë padrejtësie kolektive tek shqiptarët. Drejtësia, për të qenë e tillë, duhet të jetë e plotë, e paanshme dhe universale dhe jo e fokusuar vetëm tek fitimtarët e luftës.
Ky proces i turpshëm gjyqësor, do të lërë gjurmë afatgjata. Ose do të shërbejë si shembull i drejtësisë ndërkombëtare që ndan fajin individual nga kauza kolektive, ose do të mbetet në histori si një gjykatë që gjykoi luftën dhe jo krimin.
Kosova më shumë se snjëherë tjetër, ka nevojë për drejtësi, por ka po aq nevojë për të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës së saj çlirimtare.
Pa këto, paqja mbetet e brishtë dhe historia do të mbetët e cunguar.