Fjalimet e kandidatëve për kryeministër zakonisht janë momente solemniteti. Janë ato çaste kur pushteti i ri përpiqet të duket si fillim i ri, si kapitull i hapur. Edhe fjalimi i Albin Kurti në Kuvend, me rastin e votimit të qeverisë së re, kishte tonin e zakonshëm të mobilizimit moral, të listës së gjatë të premtimeve dhe të vetëbesimit se katër vitet që vijnë do të jenë më të mira se ato të kaluarat. Por, problemi nuk është te toni. Problemi është te kujtesa.
Qeveria Kurti 3 nuk është një qeveri që vjen në pushtet pas një opozite të gjatë, as një ekip që merrte timonin pas një dekade pritje. Është, në thelb, vazhdim i së njëjtës forcë politike që qeverisi që nga viti 2021. Dhe, në këso situate, nuk e ke luksin e fjalëve të mëdha, sikur po nis nga zero, por e ke barrën e llogarisë.
Premtimet e bëra në fjalimin e fundit tingëlluan të njohura. Luftë kundër korrupsionit. Rritje ekonomike. Reforma në drejtësi. Mbështetje për prodhuesit vendorë. Transformim energjetik. Përmirësim i arsimit dhe shëndetësisë. Integrim euro-atlantik. Lista ishte e gjatë, por kushdo që e ka ndjekur fushatën dhe fjalimin e vitit 2021, e di se shumë prej këtyre zotimeve janë përsëritje.
Atëherë, pritshmëritë ishin të mëdha, ashtu si dhe shpresa. U premtua ndryshim i thellë, reforma të thella, meritokraci. Disa hapa u bënë, por shumë prej premtimeve mbetën ose në gjysmë ose në letër.
Dhe kur në vitin 2026 dëgjon sërish të njëjtat formula, pyetja e natyrshme është: a është ky plan i ri, apo është riciklim i planit të vjetër që nuk u realizua plotësisht?
Një tjetër element që e bën këtë qeveri të duket më shumë si vazhdimësi se sa si risi janë emrat e ministrave. Thuajse të njëjtët njerëz, i njëjti ekip politik. Dikush mund të argumentojë si stabilitet, por mund të shihet edhe si mungesë reflektimi. Sepse, nëse katër vjet nuk mjaftuan për t’i realizuar prioritetet madhore, pse i njëjti ekip do t’ia dalë ndryshe tash?
Kur përballen me mosrealizim objektivash, qeveritë serioze bëjnë dy gjëra: ose ndryshojnë strategjinë, ose ndryshojnë ekipin. Në këtë rast, nuk duket se ka ndodhur asnjëra në mënyrë të theksuar. Retorika është e ngjashme. Emrat janë të ngjashëm. Premtimet janë të ngjashme.
Më shqetësuese se sa përsëritja e premtimeve është mungesa e një hierarkie të qartë prioritetesh. Fjalimi ishte i mbushur me zotime në çdo fushë të mundshme: ekonomi, arsim, shëndetësi, energji, siguri, diplomaci, bujqësi, teknologji. Por kur gjithçka është prioritet, asgjë nuk është realisht prioritet.
Kosova nuk ka luksin e shpërndarjes së energjisë politike në të gjitha drejtimet njëkohësisht. Ka fusha ku urgjenca është e dukshme: sistemi shëndetësor me mungesa të stafit dhe pajisjeve, arsimi me rezultate alarmante në testime ndërkombëtare, ekonomia me varësi të madhe nga importi dhe remitencat, kriza energjetike që rikthehet çdo dimër. Këto probleme kërkojnë fokus të qartë, plane të matshme dhe afate konkrete.
Por, nga Kurti dëgjuam një vizion të gjerë, jo thelluar. Ai foli për zhvillim, por jo për mënyrën konkrete se si do të arrihet. Foli për rritje pagash, por jo për balancën buxhetore afatgjatë. Foli për reforma, por jo për kostot politike të tyre.
* * *
Qeveria e vitit 2021 erdhi me një mandat të fuqishëm popullor, me një kapital politik për të shtyrë reforma të vështira. Sot, pas më shumë se një cikli të plotë qeverisës, kapitali moral nuk është i njëjtë. Jo domosdoshmërisht më i vogël, por më i testuar. Dhe kur një premtim përsëritet, ai nuk gjykohet më si shpresë, por si provë.
Për shembull, nëse lufta kundër korrupsionit ishte premtim themelor në vitin 2021, qytetarët sot nuk duan vetëm deklarata, por statistika: sa raste të profilit të lartë janë hetuar e dënuar? Sa procedura janë përfunduar me epilog gjyqësor? Sa është rritur transparenca në prokurim publik? Pa këto, fjala mbetet fjalë.
Njësoj në ekonomi: nëse u premtua transformim nga ekonomi konsumuese në ekonomi prodhuese, ku janë indikatorët që tregojnë ndryshim strukturor? A është rritur eksporti në raport me importin? A janë krijuar industri të reja me vlerë të shtuar? Apo jemi ende në të njëjtin model të brishtë?
Fjalimi i kryeministrit tentoi të projektojë siguri dhe vazhdimësi. Por vazhdimësia ka dy “fytyra”. Mund të jetë stabilitet. Por mund të jetë edhe stagnim. Varet nga rezultatet.
Dyshimi më i madh lidhet me realizueshmërinë e të gjitha premtimeve. Në një kontekst ekonomik global të pasigurt, me tensione rajonale të vazhdueshme dhe me kufizime buxhetore reale, a është e mundur të realizohen njëkohësisht rritje pagash, investime të mëdha kapitale, reforma strukturore dhe transformim energjetik? Çdo qeveri përballet me kufizime. Por, një qeveri serioze iu thotë qytetarëve jo vetëm çfarë do të bëjë, por edhe çfarë nuk mund të bëjë menjëherë.
Politika kosovare ka vuajtur nga inflacioni i premtimeve. Nga gara se kush premton më shumë, jo kush realizon më shumë. Në këtë kuptim, fjalimi i fundit nuk e theu këtë traditë, por e vazhdoi atë.
Megjithatë, përgjegjësia nuk është vetëm e kryeministrit. Është e gjithë kabinetit dhe e Kuvendit që e votoi. Sepse votimi i qeverisë nuk është vetëm akt formal. Është kontratë politike me qytetarët dhe çdo kontratë ka afate dhe pasoja.
Çështja nuk është nëse Albin Kurti di të mbajë fjalim të strukturuar. Ai e ka dëshmuar se po. Çështja është nëse këtë herë lista e gjatë e premtimeve do të përkthehet në lista të shkurtra realizimesh konkrete. Sepse qytetarët nuk jetojnë me paragrafë, por me paga, me çmime, me shërbime publike funksionale.
Mandati i ri nuk është fillim, por vazhdim i një historie të nisur në vitin 2021. Dhe historia gjykohet me rezultate, jo me retorikë. Nëse premtimet e përsëritura mbeten sërish në pritje, atëherë problem nuk do të jetë mungesa e kohës, por e prioriteteve dhe e guximit për të pranuar dështimet.
Kjo qeveri ka ende mundësi ta dëshmojë veten. Por këtë herë, standardi i matjes është më i lartë. Sepse, shpresa e parë falet, kurse përsëritja jo.