Debati aktual e tejmase i politizuar në Kosovë, i cili shpesh zhvillohet në mënyrë emocionale dhe me akuza se kush është më patriot, do të duhej të zhvendosej më qartë në një rrafsh analitik dhe shkencor, veçanërisht në trajtimin e çështjeve që lidhen me viktimat, luftën, UÇK-në dhe zhvillimet pasluftës. Këto procese nuk mund të interpretohen si rezultate të rastësishme apo si pasojë e veprimeve individuale të izoluara. Përkundrazi, ato reflektojnë një investim afatgjatë diskursiv dhe politik, i cili synon mjegullimin e së vërtetës për Kosovën, relativizimin e okupimit dhe zbehjen e karakterit sistematik të politikave represive serbe, përfshirë elemente që mund të interpretohen në kuadër të praktikave të apartheid-it.
Në këtë kontekst, vërehet se edhe brenda diskursit shqiptar ekzistojnë qasje të ndryshme interpretative, të cilat, për arsye të ndryshme—qoftë epistemologjike, institucionale apo pragmatike—mund të kontribuojnë në relativizimin e këtyre zhvillimeve. Megjithatë, analiza historike dhe shkencore kërkon një angazhim të vazhdueshëm ndaj verifikimit të fakteve dhe ndërtimit të interpretimit mbi bazën e evidencës, duke shmangur reduktimin e saj në pozicione politike apo utilitare.
Një nga manifestimet e kësaj prirjeje është reduktimi i konfliktit kryesisht në periudhën 1998–1999, duke anashkaluar dekadën paraprake të represionit strukturor ndaj shqiptarëve të Kosovës (1989–1998).
Sot, diskursi publik dhe akademik shpesh e redukton konfliktin në Kosovë në periudhën e viteve 1998–1999, duke lënë në hije dekadën paraprake të represionit sistematik ndaj shqiptarëve të Kosovës (1989–1998). Kjo reduktim kohor rrezikon të krijojë një interpretim të cunguar të konfliktit, duke anashkaluar politikat strukturore të diskriminimit dhe përjashtimit që paraprinë shpërthimin e luftës.
Në këtë kontekst, roli i aktorëve politikë të asaj periudhe nuk është trajtuar gjithmonë në mënyrë të mjaftueshme kritike. Figura të lidhura me strukturat shtetërore serbe, të cilat kishin rol në implementimin e politikave të pas-amendamenteve kushtetuese të vitit 1989, kanë mbetur kryesisht jashtë një vlerësimi të plotë juridik dhe historik. Këto politika, të artikuluara edhe përmes dokumenteve programore të kohës, synonin ristrukturimin politik dhe institucional të Kosovës si dhe ndryshimin e structures demografike në Kosovë. Pa dyshim njëri nga bartësit kryesor të politikës së Milosheviqit në Kosovë ishte politikani local nacionalist
Momçillo Trajkoviqin, i cili ishte implementues I politikave për serbizimin e Kosovës përmes implementimit të politikës antishqiptatare të formuluart me cinizëm në: “Programi për realizimin e paqes, lirisë, barazisë, demokracisë dhe prosperitetit të KSA të Kosovës” i miratuar në vitin 1990,”, hartues i të cilit ishte KQ i LK të Serbisë. Kuvendi i Serbisë zgjodhi Momçillo Trajkoviqin, nënkryetar të pestë të qeverisë republikane, selia e të cilit ishte vendosur në Prishtinë. Sot ai në vend të përgjgegjësië për regjimin e apartheidit, jep intervista viktimizuese, sepse lirinë e shqiptarit e përjeton si padrejtësi, ndërsa një Gjykatë hibride kosovaro-evropiane, e cilai raportion rregullisht Këshillit të Sigurimit, merret me konstruktimin e disa rrëfimeve banale të disa dëshmitarëve të shkretë.
Në literaturën dhe debatet bashkëkohore, vihet re gjithashtu një tendencë për të zhvendosur fokusin nga përgjegjësia strukturore drejt narrativave individuale apo viktimizuese, çka mund të kontribuojë në relativizimin e përvojës së represionit dhe në zbehjen e dallimit ndërmjet politikave shtetërore dhe reagimeve të mëvonshme ndaj tyre.
Qysh para më shumë se dy dekadash, Ismail Kadare paralajmëronte për një zhvillim të tillë. Në një shkrim të botuar në gazetën prestigjioze Le Monde më 14 dhjetor 1999, me titull “Të fitosh luftën, të humbësh paqen”, ai vërente se Beogradi kishte nisur një fushatë propagandistike në Evropë për të përmbysur të vërtetën mbi atë që kishte ndodhur në Kosovë gjatë viteve 1989–1999. Sipas tij, kjo propagandë shfaqej përmes manipulimit të shifrave të viktimave dhe përpjekjeve për t’ia atribuar krimet vetë shqiptarëve apo UÇK-së.
Siç shkruante Kadare:
“Loja cinike me shifrat e viktimave shqiptare, ajo lojë që kryhet mu nën hundë të OKB-së, pasohet nga këmbëngulja se një pjesë e shqiptarëve i paska vrarë UÇK-ja…”
Në këtë kuadër, edhe incidente të veçuara pas luftës janë përdorur në mënyrë selektive për të ndërtuar narrativa që synojnë krijimin e një ekuilibri artificial të përgjegjësisë. Rasti i vrasjes së bujqve serbë në Grackë të Lypjanit në korrik 1999, megjithëse mbetet i pazbardhur plotësisht, është shpesh instrumentalizuar në diskurse të ndryshme për të implikuar UÇK-në, pavarësisht mungesës së një konsensusi të qëndrueshëm faktik.
Ky proces i ndërtimit të kundër-narrativave nuk është i rastësishëm, por përfaqëson një strategji të qëndrueshme politike dhe diskursive. Ai është mbështetur nga rrjete të ndryshme politike dhe intelektuale që kanë promovuar interpretime simetrike të konfliktit, duke relativizuar dallimin midis agresionit dhe viktimizimit. Në këtë kontekst, janë përhapur edhe narrativa për lidhje të pretenduara të UÇK-së me krimin e organizuar, të cilat përputhen me linjat tradicionale të propagandës së Beogradit.
Siç thekson studiuesja Nevenka Tromp, Serbia ka ndërtuar në mënyrë të qëllimshme një kundër-narrativë, përmes së cilës imazhi fillestar “bardh e zi” i agresorit dhe viktimës është zëvendësuar me një imazh “gri”, ku përgjegjësia shpërndahet në mënyrë të barabartë mes palëve. Kjo strategji synon jo vetëm relativizimin e krimeve, por edhe krijimin e kushteve për rehabilitimin politik dhe historik të shtetit serb.
Ndërkohë, institucionet e Kosovës në periudhën pasluftës shpesh kanë vepruar mbi supozimin se e vërteta mbi konfliktin ishte tashmë e konsoliduar në nivel ndërkombëtar dhe nuk kërkonte riafirmim të vazhdueshëm. Kjo qasje, e kombinuar me presionet ndërkombëtare për “normalizim” dhe orientim drejt së ardhmes, krijoi një hapësirë diskursive që u shfrytëzua nga Serbia për të avancuar interpretimet e saj alternative.
Në të njëjtën kohë, në diskursin ndërkombëtar është promovuar ideja se paqja e qëndrueshme kërkon “tejkalimin e së kaluarës”. Megjithatë, përvoja krahasuese tregon se paqja afatgjatë është e lidhur ngushtë me përballjen kritike me të kaluarën dhe njohjen e krimeve. Çdo përpjekje për relativizim ose fshehje të tyre krijon kushte për instrumentalizim politik dhe rishkrim të historisë.
Prandaj, debati aktual mbi interpretimin e luftës në Kosovë nuk përfaqëson një fenomen të ri, por vazhdimësi të një përplasjeje diskursive të nisur menjëherë pas përfundimit të luftës. Ai reflekton tensionin midis përpjekjeve për ruajtjen e së vërtetës historike dhe tendencave për ta riformësuar atë në funksion të interesave politike. Në këtë kuptim, çështja e së vërtetës mbi Kosovën mbetet njëkohësisht një çështje historike, politike dhe morale.
Prandaj, siç paralajmëron i dy dekave e më shumë i Kadares mbetet profetik, sepse beteja për luftën e Kosovës nuk përfundon me ndaljen e dhunës, por vazhdon në fushën e kujtesës dhe të së vërtetës, aty ku rishkrimi i historisë mund të bëhet forma më e sofistikuar e mohimit.