Kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve, dhe që atëherë janë mbajtur mbi 20 seanca të Kuvendit, pa asnjë rezultat konkret dhe pa asnjë përpjekje serioze për të zhbllokuar situatën.
Seancat e Kuvendit mbahen, por asnjëra parti nuk lëviz nga pozicionet e saj. Pas çdo takimi, dalin me deklarata të thata, të mbushura me ironi të lodhshme dhe batuta që nuk i bëjnë askujt nder, madje vetëm e shtojnë zhgënjimin e qytetarëve që e duan të ardhmen e këtij vendi.
Ndërsa qytetarët presin përgjegjësi, udhëheqësit vazhdojnë jetën e tyre sikur asgjë të mos ketë ndodhur, si të ishte shumë normale që Kosova të mbetet pa institucione funksionale. Nga aty pastaj, të gjithë vazhdojnë bizneset dhe punët e tyre ditore, thua se është gjëja më e zakonshme në botë.
Ndërkohë, në rajon e më gjerë mbahen takime të rëndësishme, bëhen plane strategjike, dhe vendimmarrje që kanë ndikim për rajonin dhe Kosovën, por ne nuk jemi askund në agjendë.
Kjo do të na kushtojë shumë shtrenjtë.
Duke i parë sjelljet dhe veprimet e tyre, më lindin disa pyetje…
Kush janë këta njerëz që guxojnë të tallen me votën e qytetarëve?
Kush janë këta njerëz që guxojnë të shpërfillin gjakun e dëshmorëve, që ranë për lirinë dhe demokracinë e këtij vendi?
Kush janë këta njerëz që guxojnë të rrezikojnë të ardhmen e Kosovës dhe të fëmijëve tanë?
Turp për partitë politike dhe për ata që quhen ‘udhëheqës’!
Deri kur do të tolerojmë këtë përçmim ndaj qytetarëve dhe ndaj shtetit tonë? A janë të gjithë këta njerëz që veshin kostume dhe mbajnë fjalime boshe, vërtet ata që e meritojnë besimin e qytetarëve?
Qytetarët do të reagojnë. Ashtu siç kanë vepruar në të kaluarën, do të veprojnë përsëri. Populli të jep mundësinë për të qeverisur, por nëse e keqpërdor besimin dhe nuk realizon premtimet, populli do të të ndëshkojë. Në mënyrën më të drejtë dhe demokratike të mundshme, me votë!
Është koha për reflektim. Është koha për përgjegjësi. Më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, bashkëpunim të sinqertë dhe veprim të menjëhershëm.
Me këtë klasë udhëheqësish, dyshoj se do të ndodh në një të ardhme të afërt.