A do të largohen serbët nga institucionet e Kosovës?

Mbi 10 prokurorë dhe një përqindje e konsiderueshme e punonjësve në Policinë e Kosovë do të mund të largohen nga institucionet e Kosovës, në rast të mospërfilljes së kërkesës së kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq

Pamje nga vendosja e barikadave nga ana e serbëve në Jarinje dhe Bërnjak pas fillimit të reciprocitetit të targave me Serbinë, shtator 2021





“Së pari ne politikanët, e pastaj të gjithë me radhë, edhe prokurorët, edhe gjyqtarët, edhe policia”.

Kështu kishte thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, teksa kishte paralajmëruar se do të largohen nga institucionet e Kosovës nëse “nuk arrihet një zgjidhje kompromisi për targat dhe dokumentet hyrëse-dalëse të Kosovës”.

Në rast të përfilljes së zotimit të Rakiqit, i cili njëkohësisht është edhe ministër për Kthim dhe Komunitete, në Kosovë aktualisht janë më shumë se 10 prokurorë nga komuniteti serb që do të mund të largohen nga pozita e tyre.

Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe dhe Ministër për Kthim dhe Komunitete

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i prokurorëve është 183.

“Numri i përgjithshëm i prokurorëve është 183 prokurorë, prej tyre 16 janë nga komuniteti joshumicë, prej tyre 14 janë serbë, 1 boshnjak dhe 1 turk”, thuhet në përgjigje.

Pos prokurorëve, një largim tjetër mund të ndodhë edhe në institucionin e Policisë së Kosovës.

Sipas statistikave të policisë, nga numri i përgjithshëm i punonjësve në këtë institucion, rreth nëntë mijë sa është gjithsej, mbi 15 për qind e tyre janë të komuniteteve të tjera duke përfshirë edhe ata serbë.

“Numri i punonjësve (staf civil dhe të uniformuar) është rreth nëntë mijë pjesëtarë, ku mbi 15 për qind e tyre janë të komuniteteve tjera, përfshirë këtu edhe ata serb”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Portalin Dukagjini.

Kosova dhe Serbia, kanë arritur të dakordohen lidhur me marrëveshjen për reciprocitetin e dokumenteve hyrëse-dalëse.

Por, jo edhe për marrëveshjen e targave.

Kosova ka vendosur që të gjitha automjetet me targa të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës me iniciale të qyteteve si “KM” etj., të riregjistrohen në ato të Republikës së Kosovës – RKS.

Vendosja e stikersave në targat serbe

Për shkak të vendimeve të tilla, serbët në veri ngritën barrikada në këtë pjesë para fillimit të zbatimit të tyre më 1 gusht, për t’i hequr ato pasi Qeveria e Kosovës e shtyu zbatimin për një muaj.

Të martën e 30 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me partitë opozitare, LDK dhe AAK, ka thënë se nga një shtatori vazhdon fushata për konvertimin e targave në RKS.

Albin Kurti

Paralajmërimet e “largimeve” të Listës Serbe

Largimi i Listës Serbe dhe akterëve të tjerë të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës nuk është kërcënim i ri.

Rakiq kishte paralajmëruar daljen një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat u mbajtën më 17 tetor të vitit të kaluar.

Ai në një konferencë për media kishte thënë se serbët e veriut të Kosovës do të largohen nga institucionet e të gjitha niveleve, nëse brenda një muaji nuk fillojnë bisedimet për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë (AKS).

Marrëveshja për Asociacionin

Kjo marrëveshje është arritur në vitin 2013 dhe parimet për të janë miratuar në vitin 2015, vit ky në të cilin Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte përcaktuar se disa nga parimet e marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen me statut.

Kjo bëri që përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë, të paralajmëronin daljen e tyre nga institucionet e Kosovës, në tetor të vitit 2020.

Sërish, kjo nuk ishte hera e vetme që Goran Rakiq kishte paralajmëruar largim.

Pas dënimit të ish-deputetit serb, Ivan Todosijeviq, me dy vjet burgim, për shkak të nxitjes së “urrejtjes kombëtare”, Rakiq më 2019 kishte deklaruar se do të largohej nëse ndaj Todosijeviqit jepet një vendim gjyqësor përfundimtar.

Po ashtu, në fund të marsit të vitit 2018, serbët nga Kosova njoftuan nga Beogradi se do të largohen nga institucionet e Kosovës dhe se do ta formojnë vetë Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, pas një takimi me presidentin serb, Aleksander Vuçiq.

Kjo ishte edhe hera e parë që serbët e Kosovës kërcënonin se do të largoheshin nga institucionet.

E njëjta u bë pas arrestimit të ish-drejtorit të së ashtuquajturës ”Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, Marko Gjuriq.

Megjithatë, pavarësisht paralajmërimeve, asnjëherë nuk ka pasur dalje nga institucionet e Kosovës (ka pasur vetëm mosvijueshmëri të rregullt, por asnjëherë nuk ka pasur heqje dorë edhe nga paga dhe benifitet e dala nga pozitat zyrtare), duke përjashtuar dorëheqjet e kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe, që është thënë të jenë bërë për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës për mallrat nga Serbia.





Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika