Kush ka plan si të jetojmë në qytete me ajër më të pastër? Po plan për riciklimin e mbeturinave, pastrimin dhe ruajtjen e lumenjve, gjelbërimin? Kush ka guxim të përballet me ndotësit e mëdhenj? Këto janë pyetjet që duhet bërë atyre që kërkojnë votën.
Imer Mushkolaj
Në zgjedhjet lokale shpesh fokusi zhvendoset tek premtimet e mëdha, tek retorika e bukur apo tek rivalitetet personale, por harrohet thelbi: jeta e përditshme e qytetarëve. Është e lehtë të flitet për zhvillim ekonomik, për kulturë apo për projekte kapitale, por shumë më e vështirë të ofrohen zgjidhje konkrete për problemet me të cilat njerëzit ballafaqohen çdo ditë. Në zgjedhje lokale vendoset kush do të kujdeset për lagjen, për parkun, për shkollën dhe për ujin e pijshëm. Megjithatë, fushatat rrallë shpalosin qartësisht një vizion për këto çështje të vogla në dukje, por jetike në realitet.
Një prej fushave më të lëna anash është mjedisi. Kandidatët flasin për punësim dhe rrugë, por heshtin për ajrin që thithim. Në qytete, ndotja e ajrit është ndër më të lartat në Europë, por asnjë kandidat nuk e bën këtë çështje kryefjalë të fushatës. Në dimër, kur ndizet thëngjilli e ngrohëset e vjetra, kur makinat e shumta mbingarkojnë rrugët, qyteti bëhet i pabanueshëm. E megjithatë, sikur është turp të flitet për këtë problem. Heshtja është më e lehtë se ballafaqimi me realitetin.
Po e njëjta gjendje është me lumenjtë. Nga burimet e maleve e deri në shtratin urban, lumenjtë janë kthyer në deponi të hapura. Plastika, mbeturinat ndërtimore, mbetjet industriale derdhen në ta pa asnjë përgjegjësi. Kush e ka marrë seriozisht këtë temë në fushatë? Askush. Dhe kjo flet shumë për prioritetet e atyre që kërkojnë votën.
Ata flasin për investime miliona eurosh, por jo për lumin që kalon nëpër qytet dhe që mund të bëhej pasuri publike nëse do të pastrohej dhe do të mbrohej. Një lumë i shëndetshëm sjell jetë.
Në një vend ku qytetet zgjerohen pa plan dhe ndërtimi i pakontrolluar e ka mbuluar çdo hapësirë të gjelbër, çështja e ambientit do të duhej të ishte temë qendrore. Parqet e reja, mirëmbajtja e atyre ekzistuese, ndalimi i prerjes së drunjëve, kthimi i shesheve të betonizuara në hapësira të gjelbra – këto janë gjëra që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës. Por kush flet për to? Shumë rrallë. Kandidatët nuk shohin vota te parqet, ndaj i injorojnë.
* * *
Ky mentalitet është pasojë e një politike që mat gjithçka me numrin e votave të shpejta dhe jo me ndikimin afatgjatë. Ndërkohë, qytetarët vuajnë nga mungesa e ajrit të pastër, nga mbeturinat që ngulfatin, nga mungesa e hapësirave publike. Dhe kjo nuk është vetëm çështje estetike. Është çështje shëndeti, ekonomie dhe cilësie jete. Një qytet i pastër tërheq turistë, sjell investime, rrit krenarinë qytetare. Një qytet i ndotur largon gjithçka.
Për këtë arsye, vota në zgjedhjet lokale nuk është vetëm për një individ apo parti. Është votë për vizionin e jetës sonë të përditshme. Është votë për ajrin që do të thithim, për ujin që do të pijmë, për lumin që do ta kalojmë çdo ditë, për parkun ku fëmijët do të luajnë. Nëse kuptohet kështu, atëherë nuk duhet mashtruar nga premtimet e mëdha, por të kërkohen zgjidhje të vogla e konkrete.
Kush ka plan për riciklimin e mbeturinave? Kush ka plan për transport publik më të mirë? Kush ka guxim të përballet me ndotësit e mëdhenj? Këto janë pyetjet që duhet bërë.
Nëse qytetarët fillojnë t’i bëjnë këto pyetje, atëherë edhe politikanët do të detyrohen të ndryshojnë. Nëse heshtim dhe votojnë për ata që flasin vetëm për rrugë e asfalt, atëherë nuk duhet habitur pse pas katër vitesh do të jetojnë në një qytet edhe më të ndotur. Demokracia lokale është më e afërta me qytetarin, por shpeshherë është edhe më e harruara. Dhe kjo duhet të ndryshojë.
Andaj, rëndësia e votës sonë nuk është vetëm për sot, por për të ardhmen. Nëse duam të jetojmë në qytete ku ajri është i pastër, ku lumenjtë nuk janë deponi, ku fëmijët luajnë në parqe dhe jo mes makinash, atëherë duhet votuar për ata që ofrojnë zgjidhje reale. Jo për ata që shohin vetëm karrigen, por për ata që shohin qytetin. Ky është testi ynë si qytetarë. Dhe nëse e kalojmë, do ta dimë se demokracia lokale vlen – jo vetëm si proces politik, por si garanci për një jetë më të mirë.