Njerëzit me miopi kanë shikim të mirë afër, por shikim të dobët në distancë.

Një rritje e kohës së qëndrimit para ekranit gjatë pandemisë i ka shqetësuar prindërit për shikimin e fëmijëve të tyre, por ekspertët kanë thënë se nevojitet më shumë fokus në llojet e tjera të parandalimit.

Sondazhi i “Indeksit të Vizionit të Optometri Australia 2022” i publikuar muajin e kaluar, zbuloi se 64% e prindërve ishin të shqetësuar për dëmin e mundshëm, që qëndrimi i gjatë para ekraneve po i bënte shikimit të fëmijëve.

Por, më pak se gjysma e të anketuarve ishin të vetëdijshëm se të qëndruarit jashtë luan një rol kyç në mbrojtjen kundër miopisë.

Miopia është anomali që çdo herë e më shumë po prek fëmijët. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerësoi se gjysma e popullsisë globale mund të jetë miopike deri në vitin 2050, raporton The Guardian.

Cilët janë faktorët e rrezikut për miopinë?

Miopia rezulton nga një kombinim i faktorëve mjedisorë dhe gjenetikë.

“Edhe pse deri para 20 viteve mendohej si jashtëzakonisht gjenetike , tani është mjaft e qartë se ka efekte të mëdha mjedisore që po ndodhin” tha profesori i Universitetit Kombëtar Australian Ian Morgan.

Ai tha se rritja e shkallës së miopisë në Azinë Lindore gjatë gjysmëshekullit të fundit ishte shumë e shpejtë për t’u shpjeguar me gjenetikë.

Hulumtimi i Morgan ka zbuluar se fëmijët që kalojnë më shumë kohë jashtë, kanë më pak gjasa të bëhen miopë edhe nëse prindërit e tyre janë dritëshkurtër, dhe pavarësisht sesa kohë shpenzojnë duke “punuar afër”, aktivitete të kryera në distancë të shkurtër fokale, si leximi dhe shkrimi.

Efekti pozitiv i kohës në natyrë mund të lidhet me vetitë specifike të intensitetit rrezatues të dritës së diellit. Ekspozimi ndaj dritës gjatë ditës mendohet, gjithashtu, se stimulon receptorët në sy për të prodhuar dopaminë që mbron syrin nga zhvillimi i miopisë.

Fëmijët që kalojnë më shumë kohë duke bërë punë pranë, duke u fokusuar në libra ose ekrane, janë në rrezik më të madh për t’u bërë dritëshkurtër. Faktorë të tjerë rreziku përfshijnë rritjen e nivelit të arsimimit dhe të pasurit dy prindërve miopë.

“Përhapja e miopisë ishte e lartë në Tajvan dhe Singapor në vitet 1970, kur përdorimi i kompjuterit ishte shumë i kufizuar dhe telefonat inteligjentë nuk ekzistonin,” tha Morgan.

“Këto pajisje nuk ju duhen për të krijuar një epidemi. Meqenëse telefonat inteligjentë u ngritën vetëm rreth 10 deri në 15 vjet më parë, ne duhet të marrim më shumë prova se ato kanë një efekt.”

Çfarë ndikimi ka pasur pandemia në shikimin e fëmijëve?

Një studim i më shumë se 120 mijë fëmijëve të moshës së shkollës fillore në Feicheng të Kinës zbuloi se prania e miopisë ishte 1.4 deri në tre herë më e lartë në vitin 2020, pas disa muajsh qëndrimi në shtëpi, krahasuar me pesë vitet e mëparshme.

Një studim tjetër ndoqi fëmijët në Hong Kong mes janarit dhe gushtit të vitit 2020. Ky studim vlerësoi që dritëshkurtësia që ndodhte në një vit ishte 26% deri në 28% për moshën gjashtë deri në tetë vjeç, në krahasim me një grup para COVID-19, i cili kishte një normë vjetore prej 15% në 17%.

Studiuesit zbuluan se ndryshimet përkonin me një reduktim të kohës në natyrë nga rreth një orë e 16 minuta në ditë në 24 minuta në ditë, dhe një rritje të kohës në ekran nga dy orë e gjysmë në shtatë orë në ditë.

Një studim i vitit 2021 me fëmijët turq, të cilët tashmë ishin diagnostikuar me dritëshkurtësi zbuloi se miopia e tyre u përkeqësua më shumë në vitin 2020 krahasuar me dy vitet e mëparshme. Gjithashtu u zbulua se dritëshkurtësia përparonte më ngadalë te fëmijët që merrnin pjesë në aktivitete në natyrë për dy orë në ditë, ose jetonin në shtëpi të veçuara.

A mund të parandaloni miopinë?

Doktoresha Angelica Ly, një optometriste dhe studiuese në Universitetin e New Wales-it Jugor, tha se një masë e rëndësishme parandaluese tefëmijët është të kalojnë më shumë kohë jashtë.

Ly tha se udhëzimi i përgjithshëm është që fëmijët duhet të kalojnë të paktën dy orë në ditë jashtë. “Nuk ka nevojë të jetë … dy orë në një vend, por mund të jetë kohë rastësore për të ecur në shkollë dhe nga shkolla, gjatë pushimit, gjatë drekës, etj.”

Optometria “Australia” tha se ishte “jetike që çdo problem të identifikohet më herët” pasi miopia zakonisht zhvillohet gjatë fëmijërisë dhe trajtimi në fazat e hershme mund të ngadalësojë përparimin e gjendjes.

Për fëmijët tashmë të diagnostikuar si dritëshkurtër, opsionet e trajtimit për të ngadalësuar përparimin e miopisë përfshijnë specifika si lentet e kontaktit dhe syzet e kontrollit të miopisë, tha doktoresha Ly.

Çfarë ndikimi ka koha para ekranit te të rriturit?

Optometria “Australia” nga sondazhi zbuloi se 42% e australianëve të anketuar raportuan një rritje të kohës së qëndrimit duke parë ekranet gjatë 12 muajve të mëparshëm.

“Ka pak prova që profesionet që kërkojnë sasi vërtet intensive të punës afër mund të priren të jenë më shumë miopikë,” tha Morgan. “Në tërësi, efektet te të rriturit duken të jenë goxha minimale.

Shpejtësia e rritjes së syrit afrohet shumë afër zeros pas moshës rreth 25 vjeç.