Pirja e çajit tri ose më shumë herë në javë lidhet me një rrezik 11% më të ulët të sëmundjeve vaskulare, si goditja në tru apo ataku në zemër, sugjeron një studim i ri. Megjithatë, konsumimi i çajit përvëlues lidhet me efektin e kundërt, duke u shoqëruar me një rritje prej 16% të rrezikut për sëmundje vaskulare.
Sipas studimit të ri, konsumimi i rregullt i çajit lidhet me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të enëve të gjakut, përfshirë goditjen në tru, sëmundjet koronare të zemrës dhe atakun në zemër.
Kjo pije është pjesë e rregullt e ushqyerjes në shumë kultura. Nga çaji tradicional anglez i mëngjesit deri te ceremonitë kineze të çajit, ajo është pjesë e përditshmërisë së miliona njerëzve në mbarë botën.
Përbërësit bioaktivë të çajit, përfshirë polifenolet dhe flavonoidet, kanë veti antioksiduese dhe anti-inflamatore, si dhe ndihmojnë në mbrojtjen e endotelit, shtresës së brendshme të enëve të gjakut. Këta përbërës kontribuojnë në ruajtjen e qarkullimit të shëndetshëm të gjakut dhe mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve vaskulare, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Journal of Internal Medicine.
Studiuesit ndoqën për gati nëntë vjet rreth 500 mijë persona në Kinë, duke regjistruar konsumin e tyre të çajit dhe sëmundjet që u shfaqën gjatë kësaj periudhe. Ata zbuluan se personat që pinin çaj rregullisht, të paktën tri herë në javë, kishin një rrezik të përgjithshëm 11,2% më të ulët për sëmundje vaskulare. Lidhja më e fortë u vu re te goditja ishemike në tru, me një ulje prej 36,6% të rrezikut, e ndjekur nga sëmundjet cerebrovaskulare, me 19,1%.
Sipas studiuesve, efektet e mundshme mbrojtëse ndryshonin ndjeshëm në varësi të mënyrës së përgatitjes dhe konsumimit të çajit.
Pjesëmarrësit në studim konsumonin mesatarisht nga dy deri në tri filxhanë çaj në ditë. Megjithatë, rreziku më i ulët u vu re te personat që konsumonin nga gjashtë deri në tetë filxhanë në ditë.
Çaji i zi tregoi lidhjen më të fortë dhe më të qëndrueshme me rrezikun më të ulët të sëmundjeve vaskulare, i ndjekur nga çaji i gjelbër. Studiuesit ia atribuojnë këtë përbërësve që krijohen gjatë fermentimit, si teaflavinat, të cilat kanë veti anti-inflamatore dhe ndihmojnë në rregullimin e yndyrave në gjak.
Edhe temperatura dhe fortësia e çajit kishin rëndësi. Sipas studiuesve, kombinimi më i favorshëm ishte çaji me përqendrim mesatar, i cili nuk ishte aq i nxehtë sa të përvëlonte.