Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se është i gatshëm që qeveria e tij, së bashku me Qeverinë e Kosovës, të mbajnë një takim të përbashkët, njësoj siç bënë me Shqipërinë.

Sipas Abazovic, vetëm një gjë mund të ndodhë që mund të pengojë që ky takim të ndodhë, pasi pengesë siç ka thënë ai janë zgjedhjet që do të mbahen atje së shpejti.

“Absolutisht, Qeveria e Malit të Zi është e gatshme ta bëjë një gjë të tillë edhe me Qeverinë e Kosovës, vetëm një faktor mund të ndodh se për çka mund të mos vije deri te ajo, është se në Mal të Zi së shpejti do jenë zgjedhjet”, është shprehur Abazoviq në Klan Kosova.

Po ashtu, Abazoviq ka thënë se nuk ka rëndësi se ku do të mbahet, në Podgoricë apo Prishtinë, por mesazhi do të ishte i bukur.

“Nuk ka lidhje se a do të mbahej në Podgoricë apo Prishtinë, ne do të ishim të gatshëm për të treguar një mesazh të bukur dhe do të kishim krijuar një ekip me njerëzit mes dy qeverive”, ka thënë Abazoviq.

Abazoviq, duke folur për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se ajo ka një implikim jashtëzakonisht të mirë për të gjithë në rajon.

“Arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka një implikim jashtëzakonisht të mirë për të gjithë në rajon. E kuptoj se është kjo çështje në mes të dy shteteve dhe ne nuk kemi ambicie që të hyjmë aty dhe të përzihemi, as nuk na takon”, është shprehur ai në emisionin Rubikon, në televizionin Klan Kosova.

Po ashtu, Abazoviq ka thënë se do të ishte shumë mirë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare.