Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas letrës së presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se seanca konstituive duhet të mbahet me detyrim brenda 48 orëve, siç edhe ishte paralajmëruar nga vetë partia e tij.

Abdixhiku ka theksuar se e mirëpret përgjigjen e presidentes ndaj, siç u shpreh ai, “pyetjes jologjike” të Vetëvendosjes dhe ka shtuar se seanca nuk do të mbahet peng nga “teket bllokuese dhe intenca ofenduese” të kësaj partie.

“Dramat eventualisht bien; me to dhe zhurma që provohet të bëhet propagandë! Seanca plenare mbahet me detyrim brenda 48 orëve”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në Facebook.

Ai ka theksuar se LDK do të vazhdojë të sillet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, duke mbrojtur parimet e Republikës.

Kreu i LDK-së paralajmëroi gjithashtu se deputetët e partisë së tij do të kërkojnë dorëheqjen e atyre që, sipas tij, “me zor duan të mbajnë dy poste përjashtuese në të njëjtën kohë”.