Abott: Institucionet e Kosovës dëshmojnë vullnet për transparencë dhe llogaridhënie

Ambasadori britanik, Nicholas Abott, ka theksuar se institucionet e Kosovës dëshmojnë vullnet për transparencë dhe llogaridhënie

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abott, në konferencën vjetore me temën “Rritja e Mbikëqyrjes Publike dhe Llogaridhënies Institucionale në Kosovë”, projekt ky që mbështetet nga Ambasada e Britanisë në Prishtinë ka theksuar se institucionet e Kosovës përmes këtij projekti dëshmuan vullnet për transparencë dhe llogaridhënie.

Nëpërmjet këtij projekti, qeveria britanike mbështet organizatat e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e institucioneve.

Duke shtuar se shoqëria në Kosovë është shumë aktive dhe e paanshme, Abott ka thënë se përmes këtij projekti është mundësuar të identifikohen dhe parandalohen shkeljet e ligjit.

“Projekti ka për qëllim që përmes bashkëpunimit me institucionet e Kosovës dhe ndërmarrjet publike t’i identifikojë dhe t’i parandalojë shkeljet e mundshme të ligjit…Rezultatet e para po shihen, kemi reagime të institucioneve të cilat bazuar në rekomandimet e partnerëve zbatues kanë vepruar dhe kanë evituar shkeljen dhe korrupsionin, të freskët e keni rastin me Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale e cila ka reaguar me rastin e rekrutimin të drejtorit dhe ka zbatuar rekomandimet e ekspertëve të projektit”, ka thënë Abott.

Sipas tij, zbatimi i këtyre rekomandimeve dëshmon vullnetin e institucioneve të Kosovës të jenë transparente dhe llogaridhënëse.

“Zbatimi tregon se paratë publike nuk u takojnë atyre por qytetarëve, dëshmon që krimi dhe korrupsioni brenda institucioneve duhet dhe mund të ndalet. Mirëqenia e qytetarëve, parandalimi i krimit të organizuar dhe eksportimi i krimit duhet të jetë synimi i çdo qeverie, e kjo arrihet vetëm me bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile dhe qytetarë”, është shprehur ai.

Ndërsa, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra u shpreh se gjendja në administratën publike nuk është e mirë.

Ai ka thënë se duke punuar në aspektin legjislativ po synojnë ta bëjnë më profesionale administratën.

“Përveç faktit që u përmend më herët te mbipunësimi në ndërmarrjet publike, e që në fakt është edhe administratën shtetërore. Sipas një studimi të vitit 2020 punësimi publik në shtetet e ISD-së është diku 21% në Kosovë është 31%, pra kemi një 10% më shumë sesa në vendet e zhvilluara, e në fakt shërbimet që i marrim nuk janë të kualitetit të njëjtë sikurse ato në shtetet e zhvilluara”, ka thënë Dobra.

Ai ka deklaruar se përmes rishikimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe në përgjithësi përmes rishikimit të ligjeve të ndryshme dhe hartimit nga fillimi, si rasti me Ligjin e Pagave, synojmë që ta bëjmë një ndryshim rrënjësor në administratën publike.

“Ligji për Zyrtarët Publikë sjell një ndryshim rrënjësor e që është hapja e pozitave edhe për kandidatët nga jashtë. Është përmendur shumë se kemi një numër të pozitave që janë duke dështuar rekrutimet që po dështojnë nganjëherë për shkak të mungesës së kandidatëve, është shumë e vërtetë kjo”, ka vijuar ai.

Ndërsa drejtoresha e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbëreshë Loxha-Stublla, u shpreh se qëllimi i këtij projekti është promovimi i transparencës dhe llogaridhënies, si dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ajo ka thënë se monitorimi i shoqërisë civile luan një rol kritik në ekspozimin e praktikave të dëmshme korruptive, dhe rrit përgjegjësinë e zyrtarëve qeveritarë.

“Projekti ynë paraqet një përpjekje për të promovuar transparencën dhe qeverisjen e mirë brenda institucioneve publike dhe natyrisht parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qasja jonë në kuadër të këtij projekti nuk ka qenë qasje kushtimesh ‘agresive’, qasja jonë ka qenë që direkt të angazhohemi dhe të punojmë me institucione në momentin që kemi parë mangësi, shkelje ligjore, në mënyrë që të njëjtat të adresohen para se proceset të shkojnë larg dhe të dëmtohen. Qasja jonë është që të parandalojmë dhe adresojmë shkeljet para se ato të jenë të dëmshme për proceset e përgjithshme qeveritare dhe gjithashtu në kuptim të transparencës dhe llogaridhënies”, ka thënë ajo.

Në këtë konferencë vjetore është publikuar edhe raporti me gjetjet për pesë kompontente kryesore të projektit e që përfshinin : procesin e rekrutimit në sektorin publik, praktikat e prokurimit publik dhe menaxhimin e kontratave, shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve, dhënien e lejeve, licensave dhe tarifave, dhe performancën dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike.

Konferenca vjetore “Rritja e Mbikëqyrjes Publike dhe Llogaridhënies Institucionale në Kosovë” është program i realizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)./KSP

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika