AGK dhe ECPMF dënojnë sulmet e Dimal Bashës ndaj Pavol Szalait
Pas deklaratës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ndaj përfaqësuesit të “Reporterëve pa Kufij” (RSF), Pavol Szalai, kanë reaguar ashpër dy organizata që mbrojnë lirinë e mediave në Evropë: Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave (ECPMF) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). ECPMF shprehu shqetësim të thellë për mënyrën sesi përfaqësues […]
Pas deklaratës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ndaj përfaqësuesit të “Reporterëve pa Kufij” (RSF), Pavol Szalai, kanë reaguar ashpër dy organizata që mbrojnë lirinë e mediave në Evropë: Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave (ECPMF) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
ECPMF shprehu shqetësim të thellë për mënyrën sesi përfaqësues të partisë në pushtet në Kosovë po reagojnë pas publikimit të indeksit të fundit të lirisë së shtypit nga RSF, ku Kosova është renditur në vendin e 99-të.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me sjelljen që po tregojnë anëtarët e partisë në pushtet në Kosovë – së fundmi me pretendimet e rreme të deputetit Dimal Basha lidhur me prejardhjen e Pavol Szalait – pas publikimit të indeksit të lirisë së shtypit,” thuhet në reagimin e ECPMF-së.
Në mbështetje të këtij reagimi ka dalë edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka dënuar ashpër qasjen e Vetëvendosjes ndaj Szalait, i cili është udhëheqës i Deskut për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor në “Reporterët pa Kufij”.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bashkohet ECPMF-së dhe organizatave të tjera evropiane për mbrojtjen e gazetarëve, për të dënuar fushatën e partisë politike, Vetëvendosje kundër Pavol Szalai… Sulmet ndaj anëtarëve të organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë pretendime të rrejshme për origjinën kombëtare të Szalai, nga deputeti i zgjedhur i VV-së, Dimal Basha, nuk ndihmojnë, por vetëm e rikonfirmojnë ambientin e rrezikshëm me të cilin ballafaqohen gazetarët dhe aktivistët në Kosovë,” thuhet në reagimin e përbashkët.
Deputeti Dimal Basha kishte reaguar të premten ndaj Pavol Szalait, duke ironizuar me kombësinë e tij dhe duke e kritikuar për deklaratat lidhur me nevojën për përmirësimin e lirisë së shtypit në Kosovë. Në statusin e tij në Facebook, Basha e kishte cilësuar gabimisht Szalain si “hungarez”, ndonëse ai është sllovak.
Raporti i fundit i “Reporterëve pa Kufij” ka nxitur një debat të madh publik në Kosovë, pasi vendi ka pësuar një rënie prej 24 vendesh në indeksin global të lirisë së mediave.















