Alarm në Kongo: Ebola po vret një person çdo 30 minuta

Epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos po përhapet me ritme alarmante, duke shkaktuar vdekjen e një personi çdo 30 minuta, ka paralajmëruar zyrtari i lartë humanitar i Kombeve të Bashkuara, Tom Fletcher.

Fletcher i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mobilizohet urgjentisht për të frenuar përhapjen e virusit.

“Ebola po fiton në Republikën Demokratike të Kongos. Nuk mund të lejojmë që virusi ta tejkalojë reagimin tonë”, deklaroi Fletcher pas një takimi urgjent me drejtues të agjencive të tjera ndërkombëtare.

Republika Demokratike e Kongos shpalli epideminë e 17-të të Ebolës më 15 maj. Dy ditë më vonë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli situatën emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar, raporton Dukagjini.

Pavarësisht masave të ndërmarra, përhapja e virusit nuk është vënë ende nën kontroll. Sistemi shëndetësor i vendit po përballet me mungesë të theksuar të mjeteve, personelit dhe burimeve të nevojshme për menaxhimin e epidemisë.

Sipas Fletcherit, epidemia po përhapet më shpejt se çdo epidemi tjetër e Ebolës e regjistruar deri më tani dhe aktualisht po shkakton një viktimë çdo gjysmë ore.

Bilanci i fundit i autoriteteve të RD të Kongos flet për 2,128 viktima nga 4,556 raste të konfirmuara në laborator, vetëm tre muaj pas shpalljes së epidemisë.

Për krahasim, epidemia më vdekjeprurëse e Ebolës në historinë e vendit, gjatë viteve 2018-2020, shkaktoi rreth 2,300 viktima nga afro 3,500 raste të regjistruara.

Fletcher njoftoi se 20 pjesëtarë të tjerë të stafit humanitar janë dërguar në terren për të ndihmuar në përballimin e situatës.

“Na duhet shpejtësi, shkallëzim dhe solidaritet”, tha ai, duke paralajmëruar se pa një reagim më të fuqishëm ekziston rreziku që virusi të përhapet edhe më tej.

Për mbështetjen e reagimit shëndetësor janë ndarë edhe 30.5 milionë dollarë shtesë nga Fondi Qendror i Kombeve të Bashkuara për Reagim ndaj Emergjencave (CERF). Kjo shumë i shtohet 24 milionë dollarëve të ndarë më herët për RD të Kongos dhe katër vendet fqinje.

Megjithatë, financimi mbetet dukshëm nën nevojat. Nga 518 milionë dollarë të kërkuar për planin e përbashkët të përgatitjes dhe reagimit, deri më tani janë siguruar vetëm 264 milionë dollarë.

Situatën e vështirëson edhe fakti se aktualisht nuk ekziston një vaksinë apo trajtim i miratuar për llojin Budibugio të virusit, i cili është përgjegjës për epideminë aktuale. Studimet klinike për zhvillimin e mjeteve për luftimin e tij janë në vazhdim.

Ebola ka shkaktuar të paktën 15 mijë viktima në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

Të fundit nga rubrika