Aleanca e udhëhequr nga Ardian Gjini ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, se po synojnë ta zvarrisin bllokadën institucionale deri në një datë që, sipas kësaj partie, u përshtatet për mbajtjen e zgjedhjeve.
Në një postim në Facebook, Aleanca i është drejtuar Haxhiut duke thënë se ajo nuk është presidente e zgjedhur dhe se nuk ka mandat për të marrë rolin e unifikueses së spektrit politik.
“Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik”, thuhet në reagim.
Sipas Aleancës, kërkesa për takim me subjektet politike nuk synon gjetjen e një zgjidhjeje për situatën aktuale, por përcaktimin e përgjegjësisë për një vendim që, sipas kësaj partie, tashmë është marrë.
“Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, thuhet më tej në postim.
Aleanca pretendon se synimi është që bllokada aktuale të vazhdojë deri në një periudhë të përshtatshme për organizimin e zgjedhjeve.
“Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi”, thuhet në reaim.
Në fund, Aleanca ka rikujtuar propozimin e saj prej gjashtë pikash, duke thënë se nëse ekziston vullnet për sigurimin e votave dhe kuorumit, zgjidhja duhet kërkuar në këto propozime.
“Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, përfundon reagimi.