Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka ripërsëritur qëndrimin e Gjermanisë për hapjen e Urës mbi lumin Ibër.

Rohde ka thënë se situata aktuale e sigurisë nuk është në favor të hapjes së kësaj ure, ani pse ka një marrëveshje të arritur kohë më parë për këtë.

Sipas ambasadorit Rohde ka rrezik për tensione, nëse ura hapet.

“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen. Dhe, ka edhe një vendim nga këto marrëveshje që duhet zbatuar, është marrëveshja e arritur për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por, koha nuk është tani, e dini,  ka rrezik për tensione atje”, ka thënë ai, raporton RTKlive përcjell Dukagjini.

Tutje ambasadori gjerman, ka shtuar se duhen konsultime mes qeverisë së Kosovës dhe Perëndimit dhe se ura e Ibrit mund të hapet vetëm atëherë kur vlerësohet se ka siguri për të ndodhë kjo gjë.

“Tani duhet të ketë një proces, duhet të ketë konsultime, por për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë.  Për mua është e qartë se ura duhet të hapet por kemi nevojë për dialog mes qeverisë me Perëndimin, vlerësimi i situatës së sigurisë aktualisht e bënë të qartë se nuk është momenti për të hapur urën. Për sa kohë mendojmë se nuk është momenti i duhur për t’u hapur ura, duhet të qëndrojmë në situatën aktuale”, ka thënë ai.