Mbrojtësi i Shkëndijës së Tetovës, Leard Sadriu do të transferohet në kampionatin slloven të futbollit.

Portali Dukagjini mëson se Shkëndija dhe Mura kanë arritur marrëveshje për shërbimet e mbrojtësit 21 vjeçar.

Mura që bën gara në Superligën e Sllovenisë do t’i paguaj afro 100 mijë euro për shërbimet e ish-mbrojtësit të Kosovës U21.


Sadriu, pritet të nënshkruajë kontratë 3 vjeçare me klubin slloven ndërsa Shkëndija do të ketë edhe përqindjen e kartonit të futbollistit nga Ferizaj.

Leard Sadriu ka luajtur edhe për Ferizajn dhe Skënderbeun e Korçës, ku ishte i huazuar vitin e kaluar nga Shkëndija.

Për Leardin, sot pritet të jetë hera e fundit që do të bartë fanellën e klubit nga Tetova pasi do të jetë në fushë kundër Tikveshit në kuadër të javës së pestë të Superligës së Maqedonisë së Veriut në futboll.

Pjesë e klubit slloven, Mura është edhe sulmuesi tjetër kosovar, Mirlind Daku.