Artisti shqiptar i cili i “ngjall” figurat historike me vetëm një vijë

Fotografitë dhe vizatimet janë dy mënyrat kryesore që artistët komunikojnë vizualisht. Ndërsa, artisti shqiptar nga Zvicra, Visar Kryeziu, është duke u dhënë "jetë" figurave historike përmes portreteve me vetëm një vijë

Artisti nga Kosova që jeton në Zvicer, Visar Kryeziu, dhe veprat e tij artistike me vetëm një vijë

Një fotografi është një vizatim i bërë nga drita, të dyja janë të përziera në mes vete, ashtu edhe profesioni i artistit nga Kosova, Visar Kryeziu, i cili të dyja këto, vizatimin dhe fotografimin, i ka pjesë të jetës së tij.

Kryeziu është nga Komuna e Gjilanit dhe ka studiuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Që nga viti 2008 jeton në Zvicër, në qytetin Cyrih, ku tashmë e gjashtë vjet punon si fotograf i pavarur, gjë e cila për të ka qenë gjithmonë qëllim për ta arritur.

Në intervistën për Portalin Dukagjini, ai ka rrëfyer në detaje ëndrrën e tij të plotësuar, dhe se çfarë do të thotë për të, të jesh artist i artit të veçantë, duke krijuar portrete me vetëm një vijë.

Vizatimi me një vijë i portretit Shote Galicës, nga Visar Kryeziu

“Rrugëtimi deri në këtë qëllim ishte me shumë vështirësi. Gjuha ishte sfidë në vete, pastaj gjetja e një vendi të punës, e cila më plotësonte mua ishte po ashtu shumë e vështirë”, është shprehur ai.

Dëshira për të veçantën, sipas tij, kjo ishte arsyeja se pse është munduar të vizatonte ndryshe se siç jemi mësuar të shohim.

Ndërsa, për punën me një vijë në pikturim, ai ka thënë se nuk është aspak e lehtë, edhe pse duket vetëm një vijë.

“Skulpturat e kanë bërë edhe më të veçantë punën time, sepse e gjithë punimi bëhet me vetëm një tel”, është shprehur ai.

Portreti i Mbretëreshës Teutë në një vijë, nga Visar Kryeziu

Ndërsa, sipas tij, realizimi i këtyre punimeve nuk është i lehtë, sepse duhet precizitet, pasi me një lëvizje të gabuar mund të mos i përngjajë portretit që është marrë si qëllim për ta vizatuar.

“Vizatimi im nga të tjerët dallon shumë sepse ka vetëm një vijë të pandërprerë në një sipërfaqe të bardhë, kurse fotografia nuk është që njeriu ka mundësi të ikë shumë nga një fotograf tjetër”, ka thënë Kryeziu.

Artisti nga Zvicra aktualisht është duke punuar një portret të një rilindasi, me poezitë e të cilit, janë rritur të gjithë.

Bëhet fjalë për autorin e mirënjohur, Naim Frashëri, i cili ishte poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare, e që nga artisti në fjalë do të kemi mundësinë ta shohim portretin e tij në një vijë.

Portreti i Mid’hat Frashërit në një vijë nga Visar Kryeziu

Ndërsa, së fundmi ai ka realizuar portretin e Mid’hat Frashërit, djali i Abdyl Frashërit, një prej veprimtarëve më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Portreti i tij me kapelë, sipas tij, ishte më i lehti për ta realizuar, pasi vija ka mundësi të luajë më lirshëm në letrën e bardhë.

“Përzgjedhja për të realizuar portretin e tij, ishte pasi ai ka dhënë një kontribut të madh për kombin shqiptar, dhe se siç dihet unë i vizatoj të gjithë ato figura që kanë lënë gjurmë në histori. Mid’hati ishte udhëheqës i Ballit Kombëtar, por përveç kësaj, ai ishte edhe shkrimtar, përkthyes”, është shprehur ai.

Portretin e tij ka publikuar me thënien e Frashërit: “Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftërat, posa ta kenë përfunduar betejën e fundit mes vete.”

Kryeziu në çdo punim e përzgjedh edhe një thënie të vetë portretit që vizaton, me qëllimin që të tjerët t’i njohin më shumë dhe t’i rikujtojnë më mirë ata.

Kultura dhe arti në Kosovë, në sytë e artistit nga Zvicra është duke u zhvilluar me kohën, e këtë sipas tij, e dëshmoi edhe “Manifesta”.

“Në Kosovë fusha e artit dhe kulturës është shumë duke u zhvilluar e këtë e dëshmoi edhe “Manifesta”, e cila bëri jehonë të madhe jo vetëm në Kosovë.

PIKTURAT ME NJË VIJË EDHE NË TRUP TË NJERIUT  

Kryeziu ka treguar se është shumë krenar pasi shumë persona nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Londra, Zvicra dhe nga shumë shtete të tjera, kanë bërë tatuazhe, vizatimet e tij.

“Unë e ndjej vetën shumë krenar kur shumë persona kanë bërë tatuazhe në trupin e tyre vizatimet e mia. Me kanë kontaktuar nga ShBA-ja, Londra, Zvicra e gjithkah që tua lejoj të bëjnë punimin tim, tatuazh në trupin e tyre. Kjo është edhe vetëdijesim për të drejtat e autorit”, ka thënë ai.

Kryeziut, vizatimi i ofron elementet themelore të nevojshme për të kuptuar më mirë atë që e shikon ose që përpiqet ta arrijë, por përveç vizatimit që është një mënyrë e shkëlqyer për të trajnuar syrin, ai ka talentin edhe në fotografi.

Portreti i Fan Nolit në një vijë, nga Visar Kryeziu

Për shumë vite, vizatimi, piktura dhe skulptura e artit ishin tri llojet kryesore të artit pamor. Por më pas, në vitin 1826 u shpik formati i ri i fotografisë dhe ardhja e tij ndryshoi botën e artit përgjithmonë.

Kryeziu ka thënë se fotografinë e ka dashur gjithmonë, por kushtet në Kosovë në kohën kur ishte student, për të kishte qenë e vështirë të blinte një fotoaparat profesional, por që këtë dëshirë e ka plotësuar pasi ka shkruar në Zvicër, ku tani edhe jeton nga ky profesion.

Për të fotografia është një gjë e ndryshme nga vizatimet, sepse sipas tij, atë që ia ofron vizatimi nuk mundet ta gjejë te fotografia.

“Vizatimi është komplet i lirë dhe mund të realizosh fantazi të pakufishëm kurse fotografia është i lidhur më ngushtë me gjërat që të rrethojnë në përditshmëri”, ka thënë ai.

Nënë Tereza në një vijë, nga Visar Kryeziu

FIGURAT KOMBËTARE NË VIZATIM ME NJË VIJË

Për mijëra vjet në art është shfaqur figura njerëzore, por kur në artin e pikturës shfaqet dikush që ka dhënë gjithçka nga vetja deri në vdekje është ndjesi tjetër.

Ndërsa, Kryeziu ka thënë se arsye se pse ka filluar vizatimin e figurave kombëtare është se ka dashur që fëmijët të rriten në mesin e figurave kombëtare, të cilat i ka bërë vetë, dhe i ka vendosur në muret e shtëpisë.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe një arsye tjetër për vizatimin e figurave kombëtare, duke thënë se është vetëdijesimi për të kujtuar se kemi një histori të pasur si komb.

Sipas tij, kombi shqiptar është krijuar e mbijetuar falë këtyre figurave që ai ka vizatuar, e që e ka në plan të vizatojë akoma.

Pikturat në një vijë nga Visar Kryeziu, si Adem Jashari, Skenderbeu, Ibrahim Rugova dhe Nënë Tereza

Gjithashtu, nga ana e tij pikturat janë edhe si formë vetëdijesimi për ata që nuk i vlerësojnë figurat tona kombëtare. Kjo e ka shtyrë të bëjë vizatime të këtyre figurave pa u ndalur, që përmes tyre, t’ua përkujton se janë akoma gjallë me veprat e tyre dhe mesazhet e pafundme.

“Ideja tjetër ishte edhe nga nevoja që këto figura në shumicën e rasteve janë të stërngarkuara si punime me ngjyra, e unë doja t’i thjeshtëzoja”, ka thënë tutje Kryeziu, për arsyen e vizatimit të figurave kombëtare.

Portreti i Isa Boletinit në një vijë nga Visar Kryeziu

Sipas tij, vetë cikli i vizatimeve është “Në një vijë me …”, e cila i jep dy mesazhe.

“Njëra është që vërtet punimi është i realizuar me vetëm një vijë, kurse tjetra është se unë jam në një vijë, si për shembull Skënderbeun, jam në një qëllim me të, jam në një mendim me të”, ka thënë ai.

Ndërsa, gjithmonë pas secilit vizatim të realizuar, Kryeziu shkruan ndonjë fjalë ose fjali të shkurtër, që kanë thënë personalitetet apo figurat kombëtare.

Portreti i Hasan Prishtinës me vetëm një vijë nga visar Kryeziu

Përzgjedhja e personave për vizatim nga ana e tij është e lehtë, pasi janë ata që kanë krijuar, frymëzuar, mbajtur dhe mbrojtur kombin shqiptar.

“Po të mos ishin ata, ne sot vështirë se do të flisnim gjuhën shqipe e do të ishim shqiptarë. Kjo është historia jonë, e popujt e tjerë vazhdimisht kanë pasur tendenca që të na vjedhin historinë, në fakt edhe shumë na i kanë marrë, sepse vetëdija jonë kombëtare ka qenë jo në nivelin e duhur”, është shprehur Kryzeiu.

Kryeziut shumë njerëz i shkruajnë duke ia komentuar punimet dhe duke i thënë se i pëlqejnë ato, po ashtu, shumë prej tyre i blejnë këto punime, pasi sipas tij, ata i shohin si të veçanta.

Nexhmije Pagarusha, Leze Qena, Adem Mikullovci, Pashko Vasa

Mesazhi nga ana e tij, për ata që kanë talent për pikturim apo fotografi, por nuk duan të merren, pasi në shtetin ku jetojnë nuk ka shumë përfitim personal, është se edhe pse studion në Universitetin e Arteve, nuk bëhesh artist, pasi sipas tij, artist është ai që merret me art dhe krijon atë që zgjon vëmendjen e publikut.

“Ka shumë të tillë që studiojnë artin dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe këtu në Zvicër, por që dështojnë të bëjnë diçka që është e suksesshme”, është shprehur ai.

Arstiti që është artist me plot kuptimin e fjalës, për Kryeziun është ai person i cili lufton e fluturon, në çdo kohë e në çdo stuhi gjithmonë, pa marrë parasysh vendin se ku jeton.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika